Princ Leka mbështet studentët protestues: Të dëgjohet zëri i të rinjve, dhuna dhe intimidimi nga policia janë të papranueshme

Princ Leka, trashëgimtari i Fronit Mbretëror, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë që protestojnë. Ai kërkon që të garantohet e drejta e tyre për tubim paqësor, të hetohen kallëzimet për dhunë ndaj të rinjve dhe shkelësit e ligjit të mbajnë përgjegjësi.

Në një deklaratë, Oborri Mbretëror, thotë se i ka përcjellë me shqetësim raportimet për dhunë dhe keqtrajtim të studentëve, të rinjve e të miturve, si gjatë shoqërimit nga policia, ashtu edhe në komisariate.

Të lidhura

None found

Sipas Oborrit, pamjet filmike dhe fotografitë kanë dokumentuar ngjarjet, ndaj institucionet përgjegjëse duhet të zbatojnë ligjin dhe të sigurojnë që personat që kanë shpërdoruar detyrën të japin llogari.

Oborri Mbretëror, u bën thirrje studentëve t’i përcjellin shqetësimet e tyre edhe jashtë vendit, duke informuar komunitetin ndërkombëtar mbi atë që shohin dhe përjetojnë. Deklarata nënvizon se zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe ngjarjet të raportohen me ndershmëri e përgjegjësi.

Policia e Shtetit, nga ana tjetër, nxitet të veprojë me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje. Autoritetet duhet të mbrojnë qytetarët, jo t’i frikësojnë apo t’i përshkallëzojnë tensionet me forcë të tepruar; çdo sjellje e papërshtatshme duhet të pasohet nga llogaridhënia.

Oborri kujton se protesta paqësore kërkon përgjegjësi dhe se dhuna apo dëmtimi i pronës private janë të papranueshme, pasi dëmtojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë.

Në përfundim, bëhet thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore, ndërsa kërkohet që zëri i të rinjve shqiptarë të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.


Shtuar më 17.10.2026 11:03

Quantcast