Lajmi i fundit

LIVE - Dita e 5-të e protestave studentore, Tirana në tension

Garo: Kërcënimi dhe ndalimi i pedagoges Ilirjana Kuçana, akt intimidimi politik

Garo: Kërcënimi dhe ndalimi i pedagoges Ilirjana Kuçana, akt intimidimi politik

11:27, 17/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike denoncon ndalimin e pedagoges Ilirjana Kuçana, e cila, sipas zëdhënëses Floriana Garo, u mbajt për tetë orë në Komisariatin nr. 1, ku u dhunua dhe u intimidua nga policia.

Garo deklaroi gjithashtu se pedagogia kishte marrë më herët mesazhe kërcënuese, ku përmendej edhe vajza e saj, duke e lidhur ngjarjen me mbështetjen e Kuçanës ndaj studentëve protestues.

PD kërkon kthimin e telefonit të sekuestruar, sqarimin e bazës ligjore të ndalimit dhe hetimin e kërcënimeve.

Garo u bëri thirrje pedagogëve, mësuesve dhe qytetarëve t’i bashkohen protestës së studentëve dhe diasporës, të paralajmëruar në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD-së, FLORIANA GARO

Partia Demokratike dënon me forcë ndalimin dhe shoqërimin në polici të pedagoges Ilirjana Kuçana, e cila u mbajt dje për tetë orë në Komisariatin nr. 1, pa asnjë arsye të ligjshme të bërë të ditur. Jo vetëm kaq, por policia e ka dhunuar, fyer dhe intimiduar duke mos e lejuar te beje një telefonatë qe ia lejon ligji. Gjithashtu i ka sekuestruar telefonin personal, pa dhënë asnjë shpjegim për bazën ligjore të këtij veprimi.

“Krimi” i saj i vetëm është se qëndroi në krah të studentëve, se u përpoq t’i mbronte ata nga dhuna policore, se zgjodhi të ishte pedagoge, jo spektatore e dhunës së pushtetit ndaj të rinjve.

Ilirjana Kuçana mund të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, por ajo ishte aty si pedagoge, pranë studentëve të saj, duke përmbushur një detyrim moral dhe qytetar. Por për regjimin e Edi Ramës, edhe solidariteti me studentët është kthyer në arsye për ndëshkim policor.

Pedagogia Kucana para arrestimit është kërcënuar me një sms ku i është dërguar fotoja e saj dhe e së bijës, dhe i është përmendur fakti se ka një vajzë, të ketë kujdes dhe të mos dalë më në protestë.

Ndalimi dhe kërcënimi i saj nuk është një veprim i izoluar. Ai është pjesë e përpjekjes së policisë për t’i dhënë jetë me dhunë narrativës së fabrikuar të qeverisë, sipas së cilës protestat e të rinjve organizohen nga Partia Demokratike. Kur propaganda nuk arrin ta provojë këtë pretendim, policia përpiqet ta prodhojë atë përmes shoqërimeve, intimidimit dhe presionit.

Është e njëjta logjikë hakmarrjeje politike që u inskenua edhe ndaj deputetit Klevis Balliu, pas denoncimeve të tij kundër një drejtuesi të policisë dhe mbështetjes së hapur për të rinjtë protestues.

Policia e Shtetit po sillet gjithnjë e më shumë si krahu i armatosur i qeverisë, jo si institucion në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit. Në vend që të kursejë studentët nga dhuna, godet ata që përpiqen t’i mbrojnë. Në vend që të garantojë të drejtën kushtetuese të protestës, kërkon të identifikojë dhe të ndëshkojë mbështetësit e saj.

Partia Demokratike kërkon kthimin pa vonesë të telefonit të pedagoges dhe transparencë të plotë mbi urdhrat, arsyet dhe bazën ligjore të shoqërimit. Gjithashtu hetimin dhe vënien para ligjit të kërcënuesve të saj.

Sot u bëjmë thirrje të gjithë pedagogëve, mësuesve, intelektualëve dhe qytetarëve të ndershëm të qëndrojnë në krah të studentëve dhe të rinjve që protestojnë, ti bashkohe protesttës së tyre dhe të Diasporës në ora 11.00 para Ministrisë së Arsimit.

Një pedagog që mbron studentët e tij nderon profesionin. Një shtet që ndëshkon pedagogët për këtë arsye dëshmon frikën e tij nga rinia dhe nga qytetarët e lirë.
Partia Demokratike e përsërit: Ne nuk jemi organizatorët e protestave të të rinjve. Këto protesta janë shprehje e revoltës së tyre, e zemërimit të tyre dhe e së drejtës së tyre për të kërkuar një të ardhme tjetër. Por ne i mbështesim dhe i inkurajojmë. Jemi dhe do të qëndrojmë në krah të tyre, pa asnjë rezervë dhe deri në fund.

Partia Demokratike do të jetë me protestën qytetare dhe betejën e të rinjve deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco