Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Dëmi im” në E-Albania, përmes së cilës bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave të ditëve të fundit do të mund të regjistrojnë dëmet dhe të aplikojnë për dëmshpërblim.
Në një mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Rama bëri të ditur se 10 grupe verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve do të dalin në terren për të mbledhur të dhëna mbi dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve në kryeqytet.
Sipas kryeministrit, përmes dritares “Dëmi im”, bizneset duhet të plotësojnë të dhënat e tyre personale dhe të aktivitetit, përfshirë emrin, mbiemrin, identitetin, NIPT-in, adresën elektronike, numrin e telefonit, sipërfaqen e dëmtuar dhe informacionin mbi sigurimin, nëse kanë një të tillë. Gjithashtu, duhet të deklarojnë vlerësimin paraprak të dëmit dhe të ngarkojnë fotografi, fatura apo dokumente të tjera mbështetëse.
Rama tha se pas mbledhjes së të dhënave dhe përfundimit të verifikimeve do të krijohet një regjistër i dëmeve, ndërsa bizneset e prekura do të marrin mbështetje financiare për rikuperimin e humbjeve.
“Mos keni asnjë merak. Sot kemi caktuar 10 grupe që do të bëjnë verifikime, ndërkohë kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet sot te E-Albania, quhet ‘Dëmi im’”, u shpreh Rama, duke shpjeguar procedurën e aplikimit.
Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë familjet dhe bizneset që, sipas tij, janë prekur nga aktet e dhunës dhe shkatërrimet gjatë protestave.
“Ne do të jemi bashkë me çdo familje që jeton me punë të ndershme në Tiranë dhe që ka humbur pasurinë, e do t’i kthejmë këto gërmadha verbërie në shëmbëlltyra të forcës sonë për të ecur përpara”, deklaroi ai.
Rama: E drejta për të protestuar do të mbrohet
Në mesazhin e tij, Rama u ndal edhe te pjesëmarrja e të rinjve në protesta, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë demokratike që duhet respektuar dhe mbrojtur.
“Ne i respektojmë studentët, unë e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e së ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur më shpejt përpara. Zëri i tyre, zëri i të rinjve dhe i çdo qytetari që sot ka nevojë të protestojë, duhet dhe do të dëgjohet me respekt”, tha kryeministri.
Megjithatë, ai bëri dallimin mes protestuesve paqësorë dhe personave që kryejnë akte dhune, duke paralajmëruar se përgjegjësit për dëmtimin e pronës publike dhe private do të përballen me ligjin.
“Një student që mban një pankartë ushtron një të drejtë demokratike, një maskë që thyen dhe grabit një biznes kryen një krim dhe ne dimë ta bëjmë dallimin”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se personat që kanë shkaktuar dëme do të mbajnë përgjegjësi, ndërsa të dëmtuarit do të marrin mbështetje jo vetëm morale, por edhe financiare.
Rama: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian
Në vijim të mesazhit të tij, kryeministri foli edhe për objektivat e qeverisë dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ai deklaroi se përgjegjësia e tij është të mbrojë qytetarët, të garantojë drejtësinë dhe të vijojë procesin e integrimit europian.
Rama përmendi gjithashtu rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, investimet e huaja, zhvillimin e turizmit, rritjen e pagave dhe uljen e borxhit publik si disa prej arritjeve të dekadës së fundit.
Sipas tij, objektivi mbetet ndërtimi i një Shqipërie me standarde europiane, ku qytetarët të kenë mundësi të arsimohen, të punojnë dhe të jetojnë të sigurt.
“Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush dhe mbi të gjitha Shqipërinë, mua, ju nuk ka forcë që të na ndalë dhe që të na kthejë mbrapa”, përfundoi Rama.


