Një gjykatë federale në San Diego ka urdhëruar administratën e presidentit amerikan Donald Trump të rikthejë procesin e regjistrimit për Lotarinë e Vizave të Diversitetit për vitin 2027, e njohur si lotaria e Green Card.
Sipas vendimit të gjyqtares Jinsook Ohta, nga Gjykata e Qarkut për Distriktin Jugor të Kalifornisë, regjistrimi duhet të hapet deri më 18 tetor dhe të vijojë deri më 19 nëntor. Të mërkurën, gjyqtarja nxori një urdhër paraprak që pezullon vendimin për ndërprerjen e programit.
Lotaria e Vizave të Diversitetit mundëson dhënien e lejeve të qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara për deri në 55 mijë persona në vit. Programi synon shtetasit e vendeve që historikisht kanë pasur nivele më të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e përfituesve vijnë nga vendet afrikane.
Administrata Trump e pezulloi programin në dhjetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve se një shtetas portugez, i cili kishte përfituar vizë përmes lotarisë, ishte përgjegjës për vrasjen e katër personave në dy sulme të ndara me armë zjarri në Rhode Island dhe Massachusetts. I dyshuari u gjet më vonë i vdekur, pasi kishte kryer vetëvrasje.
Në mars, administrata amerikane miratoi gjithashtu një rregull të ri, sipas të cilit aplikantët duhet të kenë pasaportë për të marrë pjesë në program, raporton “Bloomberg”.
Çështja përfundoi në gjykatë pas një padie të ngritur nga firma ligjore Red Eagle Law LC, me seli në Kaliforni, kundër Departamentit amerikan të Shtetit. Firma kërkoi rifillimin e programit, pasi gjyqtarja Ohta kishte refuzuar më herët kërkesën e saj për një urdhër të përkohshëm kufizues.
Ndërkohë, muajin e kaluar, një gjyqtar i Distriktit Verior të Kalifornisë kritikoi ritmin jashtëzakonisht të ngadaltë të shqyrtimit të aplikimeve për vitin fiskal 2026 nga Departamenti i Shtetit, duke e cilësuar atë si të paprecedentë.
Lotaria e Vizave të Diversitetit u krijua me ligj në vitin 1990. Megjithatë, përzgjedhja në lotari nuk garanton automatikisht marrjen e Green Card-it, pasi aplikantët duhet të plotësojnë edhe kriteret e tjera ligjore për emigrim në SHBA.
Vendimi i fundit gjyqësor vjen në një kohë kur presidenti Donald Trump ka kundërshtuar prej kohësh këtë program. Urdhri i gjykatës i kërkon administratës së tij të ndërmarrë hapa për rikthimin e procesit të regjistrimit për vitin 2027.


