Emaili për reformën kushtetuese dhe mocionin e mosbesimit, Spiropali reagon për Vizion Plus, mohon përfshirjen

Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me një e-mail të mbërritur në adresat e deputetëve të Kuvendit, ku prezantohet një draft për reformë të thellë kushtetuese dhe zgjedhore, si dhe një mocion mosbesimi që parashikon marrjen e drejtimit të qeverisë prej saj.
Në një reagim për “Vizion Plus”, Spiropali ka mohuar se qëndron pas këtij e-maili, i cili u është dërguar deputetëve në emër të saj, një ditë pas letrës publike që Spiropali i drejtoi kreut të qeverisë, Edi Rama.
Në emailin në fjalë propozohet zgjerimi i Kuvendit nga 140 në 201 deputetë, vendosja e listave 100% të hapura dhe kufizimi i mandateve të deputetëve dhe kryeministrit.
Drafti përfshin gjithashtu një propozim për zgjedhjen e kryeministrit të ri me të paktën 104 vota në Kuvend, si dhe një program tranzitor 100-ditor që parashikon kalimin e drejtimit të Ekzekutivit te Spiropali.
Mesazhi u bënte thirrje deputetëve që t’i bashkoheshin nismës si bashkëpropozues, ndërsa në fund të tij figuron emri i Skerdi Shahajt.
Pas reagimit të Spiropalit për Vizion Plus, mbetet e paqartë se kush e ka hartuar dhe shpërndarë emailin, si dhe cili ka qenë qëllimi i kësaj nisme.




