Berisha nuk ka një distancim të qartë për sulmet ndaj bizneseve, dhe dhjetëra dyqaneve e filialeve të bankave në vend

“Unë kam dëgjuar këto ditë zëra, të cilët nuk janë kundër studentëve, janë pro studentëve, por që piskasin gjer në qiell se u prek kjo pronë apo ajo pronë. Jam absolutisht kundër prekjes së pronave, por u them këtyre miqve të mi se hajduti më i madh i të gjitha kohërave i pronave që shenjtëroni, është Edi Rama dhe do bënit mirë të bashkoheni me studentët.

Nuk jam për të prekur pronat, por nuk mund të injoroj kurrë se shkatërrimtari më i madh i pronave, grabitësi, plaçkitësi më i madh i pronave të shqiptarëve është Edi Rama, narkodiktatori që ju nuk ia thoni dot narkodiktator. Se vërtet u prek diku një dyqan dhe u thye një vitrinë, po Porti i Durrësit 4 miliardë euro pasuri e juaja që vidhet nga Edi Rama me një grup, ku e keni zërin? Bashkohuni me studentët sepse janë në një mision shpëtimtar, njëlloj siç ishin në vitin 1990”, tha Berisha.

Për të e rëndësishme është që sa më shumë qytetarë t’i bashkohen protestave, ndërsa dënoi dhunën  e egër që sipas tij policia ka përdorur

“Çdo orë është humbje e madhe për ne. Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët. Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve. Të ulë qepenin, të vendosë tabelën se jam në grevë, siç janë ata që po lënë mësimin dhe po përballen dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të qenies tonë.Kurrë ndonjëherë një egërsi e tillë ndaj protestuesve nuk është dëshmuar në rrugët e Tiranës”, vijoi Berisha.

Por protestën opozita nuk e mbështet vetëm me thirrje drejtuar qytetarëve. Sali Berisha pohoi se njerëzit e tij janë pjesë e saj.

“PD, të garantoj që i ka njerëzit e vet në terren, në protestë dhe do t’i ketë gjer ditën e fundit të fitores së saj. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kështu që nuk ndahemi ne nga kjo protestë", tha Berisha. 

Zërave në protestë që janë dhe kundër opozitës Berisha i përgjigjet se janë të nxitur nga qeveria.

“Një pjesë e madhe e të rinjve, ose pjesa më e madhe e të rinjve dhe shoqërisë, është viktimë fatkeqe e propagandës qeveritare dhe 90 përqind të medieve të kontrolluara nga qeveria”, theksoi Berisha.