Policia e Tiranës ka ndaluar dy persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje të ndryshme kriminale me armë zjarri.
Njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të një servisi pranë mbikalimit të Kasharit, më 10 shtator 2026, ndërsa personi tjetër akuzohet për plagosjen me armë zjarri të një 54-vjeçari, më 14 tetor.
Sipas njoftimit të Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit kanë ndaluar shtetasin V. T., 30 vjeç. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi pranë mbikalimit të Kasharit.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin S. D., 33 vjeç, i shpallur më parë në kërkim.
Ai dyshohet se më 14 tetor 2026, në rrugën “Kadri Prishtina”, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin G. A., 54 vjeç. Për këtë ngjarje, 33-vjeçari dyshohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


