Ndodh shpesh, edhe në demokracitë e mëdha, që protestat paqësore në sheshe të infiltrohen nga grupe ekstremiste dhe që, në fund, dhuna të mbizotërojë mbi mesazhin politik, siç po ndodh këto ditë në Shqipëri. Prej javësh, Franca, Spanja, Belgjika, Anglia dhe, që nga dje, edhe Italia, janë skenë e pamjeve të një lufte urbane, ku protagonistë janë grupe ekstremistësh. Në Evropë i quajnë “black bloc”, sepse lëvizin në grup, të veshur me rroba të zeza dhe me kapuçë të zinj, duke u shndërruar kështu në agresorë anonimë dhe të padallueshëm. Ata janë makthi i çdo organizatori, sepse sa herë shfaqen black bloc, protestat humbasin vlerën e tyre. Ato pushojnë së qeni manifestime të besueshme të kundërshtimit ndaj qeverisë dhe shndërrohen në luftë urbane: shkatërrime, flakë, plaçkitje dhe përleshje me policinë.
Black bloc u kallin frikën të gjitha lëvizjeve demokratike, përveçse në Shqipëri, ku, përkundrazi, ata vetë bëhen protagonistët dhe simboli heroik i protestës. Sali Berisha i ka quajtur “luanë”, në shenjë përkushtimi dhe respekti, duke i konsideruar sulmet e tyre si reagim ndaj agresionit të policisë. Por këtë e tha të enjten 15 tetor në mbrëmje, pikërisht në të vetmen ditë kur policia, çuditërisht, qëndroi pa lëvizur dhe vetëm vëzhgoi, duke shlyer me mosveprimin e saj fajin e kryer një ditë më parë, kur i theu këmbën një të riu.
Pa policinë që t’u kundërvihej, “luanët” e Berishës treguan fytyrën e tyre të vërtetë: jo atë të studentëve të zemëruar që kishin dalë në shesh për të kërkuar zgjidhje, por atë të vandalëve, shpesh adoleshentë pa kulturë, përveç atyre të pakuptimtë të TikTok-ut, me fytyrat e mbuluara me kapuçë të zinj, të vendosur për të shkatërruar e rrënuar gjithçka, publike apo private, për të ndarë më pas mes tyre plaçkën e mjerë, që shpesh përbëhet nga celularë dhe cokollata të vjedhura. Pas tyre mbeten vetëm shkatërrimi, flakët dhe dyqanet e plaçkitura.
Flamujt shqiptarë u mbështollën rreth shufrave të hekurit dhe u përdorën si topuzë primitivë për të bërë copë ministri, banka dhe dyqane, e më pas për të goditur policët. Black bloc shkatërruan madje edhe pllakën përkujtimore të 21 viktimave të ambasadës sovjetike: njëzet e një intelektualë të masakruar nga regjimi komunist dhe tani të fyer nga padija e “studentëve”, të cilët nuk e njohin as historinë e tyre.
Por, përballë gjithë kësaj, tmerri më i madh ishte zbulimi i bashkëfajësisë së analistëve, blogerëve, gazetarëve dhe deputetëve të Republikës, me Sali Berishën në krye. Në vend që t’i dënonin të dhunshmit dhe t’i dallonin ata nga protestuesit paqësorë siç ndodh në çdo vend europian, bënë të kundërtën: lavdëruan black bloc, protagonistët e akteve të vandalizmit dhe terrorit urban, dhe nxitën ata që ishin përmbajtur nga kryerja e këtyre akteve që t’u bashkoheshin. Berisha, i cili shpreson t’i atribuojë vetes meritën përfundimtare për këtë protestë për përfitim politik, ndonëse tashmë arrin të drejtojë vetëm një grusht fare të vogël fanatikësh, nuk arriti të shprehë solidaritet as me tregtarët që panë dyqanet e tyre të shkatërruara; përkundrazi, u kërkoi të gjithë të tjerëve të ulnin qepenat në shenjë solidariteti me vandalët. Asnjë fjalë dënimi nuk pati as për sulmet ndaj bankave, të cilat duhet të vazhdojnë ta ndjekin Berishën edhe në makthet e tij, sepse pikërisht, duke shkatërruar sistemin bankar në vitet e para të qeverisjes së tij, ai vetë nxiti mashtrimet financiare dhe kështu shkaktoi një tjetër revoltë. Asnjë fjalë solidariteti as për shumicën e policëve, të cilët prej katër ditësh janë bërë shënjestër e ekstremistëve në shesh dhe e moralistëve në internet. Disa abuzuan me forcën e uniformës, por ishin një pakicë, ndaj të cilëve janë marrë masa. Të tjerët, nëse reagojnë, i linçojnë pse kanë përdorur forcën; nëse nuk reagojnë, i linçojnë pse i kanë lënë të bëjnë ç’të duan.
Janë qesharake, pastaj, disa vajza të reja, të shndërruara në heroina nga rrjetet sociale ose nga opinionistë servilë me vila miliardëshe, për “guximin” që kanë treguar duke hedhur vezë mbi politikanët ose duke “sfiduar të vetme” një autobot të policisë apo ndonjë grup agjentësh të palëvizshëm, në pritje për t’u goditur: sikur ato të ishin në sheshin Tiananmen në vitin 1989 ose përballë “sambistëve” komunistë të vitit 1990. Ai ishte guxim. Këto janë vetëm skena histerike të përshtatshme për TikTok-un, pa asnjë vlerë politike.
Por edhe më hipokrite është mbrojtja e black bloc, dhuna e të cilëve konsiderohet edhe nga disa intelektuale si një reagim legjitim ndaj refuzimit të vazhdueshëm të Edi Ramës për të pranuar urdhrin për të dhënë dorëheqjen. Sikur të mjaftonte t’i thuash një kryeministri të zgjedhur në mënyrë demokratike: “Mjaft, nuk na pëlqen më”, që ai të jepte automatikisht dorëheqjen. Të pakënaqurit ekzistojnë në çdo vend, por nëse do të kishin gjithmonë ata fjalën e fundit, atëherë bota do të qeverisej nga anarkia.
Personalisht, vazhdoj të habitem se si Edi Rama i reziston tundimit për të shpallur zgjedhje të parakohshme, duke e ditur se, po të rikthehej në kutitë e votimit, do të dilte sërish fitues. Të paktën për sa kohë që përballë tij do të ketë Sali Berishën në krye të opozitës, i cili, ditën e protestës së tij të fundit kombëtare, mblodhi para Parlamentit jo më shumë se njëqind persona. Sondazhet thonë se sot ende nuk ka asnjë forcë politike që të ketë votat e mjaftueshme për t’ia sfiduar shumicën Partisë Socialiste, dhe kjo tregon shumë për nivelin e nano-opozitës, të paaftë për të mposhtur edhe një qeveri të goditur nga skandale të vazhdueshme. Me fjalë të tjera: kjo shumicë nuk është më e mira që mund të dëshirohet, por është ende më e mira që ekziston.
Pastaj janë Flamingot. Po të kishin ditur t’i jepnin vetes një lidership të vetëm, të besueshëm dhe të pavarur nga partitë e vjetra, sot do të mund të konkurronin në zgjedhje si një alternativë e vërtetë, por deri tani kanë treguar se janë krejtësisht të paaftë për të pasur çfarëdo vizioni politik modern. Tani protesta e tyre e çorganizuar, por paqësore, është ndotur nga black bloc, me të cilët shumë Flamingo kanë shprehur solidaritet. Për Berishën dhe Partinë e tij Demokratike kjo mund të kishte qenë një mundësi historike: të dënonin të dhunshmit dhe të merrnin drejtimin e krahut të moderuar të lëvizjes, atij paqësor dhe konstruktiv, por politikisht të pakënaqur dhe pa lidership. Në vend të kësaj, ai gaboi sërish në strategji dhe, si zakonisht, preferoi të mbështeste vandalët. Dhe, ashtu si ata, përfundoi duke u detyruar të hidhej në Lanë.
Në fund, pra, e vetmja rrugëdalje e mundshme mbetet dialogu, atë që qeveria e propozon prej katër muajsh, por që të gjithë e refuzojnë me tmerr. Përndryshe, duhet durim dhe të priten zgjedhjet e ardhshme për të numëruar sërish forcat. Në demokraci, qeveritë mposhten dhe zgjidhen me vota, jo me revolta. Problemi është se jo të gjithë e kanë kuptuar ende këtë.
Tragjedia e Shqipërisë, një vendi pa paqe, qëndron fatkeqësisht në këtë thjeshtësi pothuajse banale. Pikërisht si e keqja që e ka ndjekur prej 35 vitesh dhe që Sali Berisha nuk ka turp të vazhdojë ta përfaqësojë.
-
Sherbetor i Rames ngele o ditezi. Ti je fytyra me e keqe e Italise.
Përgjigju -
Mos ki merak se pas Ramovichit e keni rradhën ju bythlëpirsat e mediave abc, shqiptarja Tema e compani. Pasurite e këtij populli dhe nga bythet do ju a qisim. Ju jeni më plehra se vete Rama
Përgjigju -
Plotesisht dakord. Dua te shtoj nje élément tjeter qe eshte pandeshkueshmeria. Mendoj se duke mos ndeshkuar asnje fajtor te vertete permes procesesh gjyqesore te drejta i eshte lene rruge e hapur ç’do gjeje ç’do abuzimi, ç’do genjeshtre e manipulimi. Kjo çon domosdoshmerisht heret a vone ne dhune. Ne se drejtesia do kishte bere punen e saj sot nuk do kishim nevoje te gerryenim kalldremet e qyteteve tona me ne fund te bukura per ti hedhur mbi njeri tjetrin. Dy shtylla kryesore te shtetit: Drejtesia dhe Sherbimet inteligjente. Ku Jane ato sot?!…Kjo situate e dhimshme ka shkaqe reale….
Përgjigju -
Shqiptar kaluar shqiptari! Respekt per z Bollino!
Përgjigju -
Bravo Carlo si gjithmone I sakte!
Përgjigju -
LEXOJENI!
Përgjigju












Komente
Komento