Kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi policinë për dhunë të rëndë ndaj studentëve protestues, duke e krahasuar situatën me protestën studentore të dhjetorit 1990.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha tha se ndaj të rinjve është përdorur një sasi e jashtëzakonshme gazi lotsjellës, përfshirë edhe gaz të skaduar, dhe e cilësoi reagimin e policisë si të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.
Ai paralajmëroi se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet ndaj protestuesve, ndërsa përsëriti thirrjen që Rama të japë dorëheqjen.
Pyetje-përgjigje
Igli Dorëzaj: Ka pasur përplasje mes të rinjve dhe policisë dhe raportime për përdorim të tepruar të gazit lotsjellës dhe të topave të ujit. Policia po vepron si amatore e papërgatitur për këtë situatë dhe nuk po e menaxhon atë në përputhje me ligjin. Do e denoncojë PD përdorimin e dhunës nga policia ndaj të rinjve në institucionet ndërkombëtare?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Kurrë ndonjëherë një egërsi e tillë ndaj protestuesve nuk është dëshmuar në rrugët e Tiranës. Kam qenë dëshmitar i protestës studentore në mëngjesin e datës 9 dhjetor të vitit 1990, ndaj të cilës vepruan me egërsinë më të madhe forcat e Sigurimit të Shtetit, policisë, gardës dhe sampistët.
Si mjek, jam marrë me të gjithë mundësitë e mia, kam ndjekur të plagosur në atë fushëbetejë.
Unë mund t’u them me përgjegjësi se, ndonëse nuk kisha parë skena më horror, por skenat që pamë ne ndaj këtyre studentëve, tejkalojnë shumë.
Nuk pati çarje kafke në atë batërdi që bënë.
Pati një vajzë me një fisurë të kockës së baçinit, por nuk pati thyerje kockash, duke hipur mbi shkelm mbi trupin e protestuesit të rrëzuar përdhe për t’i thyer kockën, për t’i thyer krahun, për t’i thyer kërcirin.
Nuk pati skena të tilla.
Ju folët për gazin. Askush nuk mund të imagjinojë sasitë kolosale të gazit që janë hedhur. U garantoj se nuk është çështje profesionalizimi, por shtazëri e urdhëruar nga Edi Rama dhe zbatim nga narkopolicë, nga njerëz që nuk meritojnë të quhen njerëz.
Të gjitha rezervat e gazit u nxorën dhe është përdorur gazi i skaduar me efekte shumë më toksike dhe negative.
Janë marrë nga ushtria sasi kolosale gazi.
Është hedhur gaz në këto dy protesta më shumë se gjatë 30 viteve në protesta të marra së bashku.
Nuk ka pasur ndonjëherë qëndrim kaq shtazor policia e Edi Ramës, që përpiqet të mbrojë një narkodiktator të urryer, i cili nuk do ketë vrimë miu të shpëtojë, po nuk dha dorëheqjen.
© SYRI.net