Një mësuese në Oregon u hodh mbi adoleshentin që hapi zjarr në një klasë për nxënës me nevoja të veçanta, duke u përpjekur ta ndalë. Ndërsa ajo përpiqej t'i merrte me forcë armën adoleshentit, në dyshemenë e klasës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë dhe një mësuese, një person që ndodhej aty pranë, i armatosur me pistoletë, hyri brenda dhe e vrau adoleshentin. Ky person, babai i dy vajzave që ndjekin këtë shkollë, po kalonte me makinë pranë shkollës fillore "Silver Rail" në Bend, të enjten në kohën e drekës, kur pa të dyshuarin duke qëlluar në parkingun e shkollës dhe më pas duke hyrë brenda. Policia bëri të ditur se i dyshuari 16-vjeçar kishte qenë më parë nxënës në atë shkollë. Sipas policisë, në momentin kur u ndalua, ai kishte me vete edhe rreth 44 fishekë të tjerë për armën. Ai kishte shkrepur rreth 15 plumba brenda në klasë. "Njerëzve që treguan guxim përballë një dhune të tillë dhe ndërhynë për të parandaluar që kjo tragjedi të bëhej edhe më e rëndë, u detyrohemi një mirënjohje shumë të thellë," tha shefi i policisë së Bend-it, Mike Krantz.