Një tjetër situatë aspak e hijshme raportohet të jetë regjistruar ditën e djeshme, 16 tetor, gjatë protestës së studentëve në Tiranë.
Disa persona kanë përfituar nga kaosi i krijuar në rrugët pranë Ministrisë së Arsimit për të hyrë në një dyqan parfumerie dhe për të marrë sende me vlerë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë disa persona brenda ambienteve të biznesit, duke nxjerrë prej tij parfume dhe orendi të ndryshme.
Ajo që bie në sy është se, pasi marrin sendet, ata largohen nga dyqani dhe i bashkohen sërish turmës së protestuesve, duke u përzier mes të rinjve që ndodheshin në rrugë.
Veprime të tilla nuk kanë lidhje me kërkesat e studentëve që kanë dalë në protestë, por përbëjnë akte vandale që përfitojnë nga situatat e tensionuara për të kryer vjedhje.
Identifikimi i personave të përfshirë dhe përgjegjësia e tyre për veprimet e kryera mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.













