“Policia ka përdorur plumba plastikë, të rinjtë kanë provat, do t’ia japin ndërkombëtarëve “/ Shemsi Prençi nga protesta: Duhen kimistë për të verifikuar gazin lotsjellës

17/10/2026 14:16

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit dhe ekspert i sigurisë, Shemsi Prençi, foli nga protesta për programin “Shqipëria Live”.

Ai deklaroi, gjatë intervistës me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, se policia ka përdorur plumba plastikë në drejtim të protestuesve, teksa shton se ata i kanë mbajtur për t’ia dorëzuar autoriteteve ndërkombëtare.

Prençi tha se ka bërë thirrje ndaj Avokatit të Popullit që të hetojë përbërjen kimike dhe mënyrën e përdorimit të gazit lotsjellës.

Në deklaratën e tij, Prençi kritikoi gjithashtu mënyrën e menaxhimit të situatës nga policia, duke pretenduar se bizneset përreth nuk ishin njoftuar paraprakisht për masat e sigurisë.

“Policia ka përdorur plumba plastikë, kemi kapur disa gëzhoja. I kanë mbajtur vetë dhe duan t’ia tregojnë te organizmat kombëtarë. Policia po i sulmon në Bulevard, nuk është cenuar ndonjë institucion shtetëror. Shumë shpejt do të fus në dorë plumbat e gomës. Unë i kam bërë thirrje avokatit të popullit, të marrë kimistë dhe të hetojë densitetin kimike të gazit lotsjellës. Ministria e Arsimit nuk është institucion i nivelit të lartë, kur deshi policia e la që të digjet, e la me qëllim. I kam thënë për densitetin e përdorimit të gazit, përse duhet ta përdorin. Për se duhet të përdoren në distancë. Në protestë ka studentë, vajza dhe nëna shtatzënë.

Të bëjnë gabim drejtuesit më të lartë të shtetit, në përdorimin e topit shihedhës, plumbave të gomës dhe gazit lotsjellës. Po ta kishin planin e masave do t’i kishin njoftuar bizneset të ulnin bizneset, nuk e kanë bërë këtë. Kjo ka qenë plan i policisë për të implikuar të rinjtë. Ne pamë të rinjtë që merrnin në kioska ushqime.

Zyrtarët e lartë nuk raportuan vetëm për policë të plagosur, jo qytetarë. Atë studentin e sulmuan 7 policë, dy prej tyre ndoshta duhet të ishin në burg sot, prokuroi duhet të ishte në vendngjarje për të hetuar. Dhe 7 policët që e qëlluan kur ishte shtruar në tokë. Unë di ekspert po bëj vëzhgimet e mia. Kam edhe djemtë e mij studentë në protestë, kam parë edhe shumë prindër që kanë ardhur për fëmijët e tyre. Unë kam plot filmime në shkelje flagrante, një ditë të bukur do t’i vë në dispozicion të autoriteteve”, tha Shemsi Prençi.

 

 

Top Channel