Fundjavën e kaluar Vllaznia ndali krizën, duke marrë fitoren e parë në kampionat. Suksesi kundër Dinamos erdhi në ndeshjen debutuese të trajneri Csaba Laszlo, ndërsa këtë të dielë shkodranët duan të vijojnë me rezultatet pozitive edhe pse përballë kanë kampionët e Egnatias në Rrogozhinë.
Në prag të këtij takimi trajneri hungarez i shkodraneve e pranon forcën e kundërshtarit.
“Egnatia? Si gjithmonë. Ne e dimë se Egnatia është kampione, luan në Ligën e Konferencës. Në ndeshjen me Midtjylland bëri mjaft mirë. E dimë se jemi në pozicion ku duhet të kërkojmë pikët. Do provojmë më të mirën. Jemi të përgatitur,”-tha fillimisht Laszlo.
Më pas ai foli për paraardhësin e tij në stolin e Vllaznisë, Edi Martini, i cili u shkarkua pasi në 5 javë kishte grumbulluar vetëm 2 pikë.
“Martini? Jam i lumtur nëse e takoj, ka qenë lojtar mjaft i mirë. Hero për qytetin dhe klubin, ka luajtur në Bundesliga. E kam parë duke luajtur. Nëse do, jam i hapur gjithmonë për ta takuar, për të shkëmbyer mendime. Ne jemi të gjithë në një anije në Shkodër, tek ajo e Vllaznisë. Është i mirëpritur, e vlerësoj për çdo gjë që ka bërë për këtë klub dhe Kombëtaren. Fantastike,”- tha Laszlo.
Java e 7 e Superligës nisi me sfidën Dinamo-Teuta, me durrsakët të cilët ia dolën të fitojnë me rezultatin 0-2 duelin e drejtpërdrejtë për kreun. Sakaq sot luhet Tirana-Laçi dhe Skënderbeu-Elbasani, ndërsa të dielën përveç Egnatia-Vllaznia në program është edhe Vora-Partizani.









Komente
Komento