Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Franc Nuri, ka denoncuar dhunën e pretenduar policore ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë, duke kërkuar hetim të menjëhershëm dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë personave të përfshirë.
Në deklaratën e tij, Nuri ka akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, duke përmendur raste të goditjes së të rinjve me shkopinj gome, tërheqjen zvarrë dhe keqtrajtimin e personave edhe pasi ishin neutralizuar.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga përfaqësuesi i PD-së lidhet me kushtet e mbajtjes së protestuesve të shoqëruar në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku sipas denoncimeve të përmendura prej tij ndodhen dhjetëra persona, mes tyre edhe të mitur.
“Uniforma nuk ju jep të drejtën të dhunoni qytetarët! Asnjë urdhër politik apo administrativ nuk ju përjashton nga përgjegjësia ligjore!”, është shprehur Nuri, duke kërkuar që çdo efektiv që ka ushtruar dhunë të paligjshme, si dhe çdo drejtues që e ka urdhëruar, lejuar apo mbuluar atë, të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi.
Në përfundim, Nuri ka bërë të ditur se PD-ja do t’ua përcjellë pamjet dhe dëshmitë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, organizatave për mbrojtjen e gazetarëve dhe institucioneve europiane, me qëllim që pretendimet për dhunë dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve të shqyrtohen nga institucionet përkatëse.













