Shqipëria pritet të gjendet sot në ditën e 140 të “Revolucionit Flamingo” dhe në ditën e pestë të protestave të dhunshme pas përplasjes së studentëve me policinë.
Të rinjtë kërkojnë kushte më të mira në shkolla dhe konvikte, ndërsa kjo lëvizje shkon më tej, duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Për këtë kërkesë të të rinjve, Endri Meksi i MCN ka thënë se dorëheqja e Ramës në këto momente do ta çonte vendin 30 vite pas, duke argumentuar edhe mendimin e tij.
“Dorëheqja e Ramës nuk sjell asgjë të mirë në dëshirën e protestuesve. Kryeministri nuk duhet ta japë dorëheqjen. Më 1997 u goditën komisariatet dhe hipotekat, nuk mbaj mend të jetë djegur ndonjë vilë e privatit në ’97-ën. Shqiptarët ishin të aftë, morën 12.7 te oborri dhe mbroheshin vetë. Shteti ra.
Në 1990 nuk u dogj Arkivi i Shtetit, shqiptarët u organizuan si popull për ndryshimin e një regjimi politik, nuk pati banda. Në 1997 ishin bandat që bënë terrorin në qytete, nuk kishte qytetarë. Më pas e dimë çfarë ndodhi.
A duam të njëjtin skenar, të bjerë shteti? Do të ishte shumë kollaj për mua, edhe si djali i ish-kryeministrit të asaj kohe, që dha dorëheqjen, që të thoja që Rama duhet të iki. Rama s’duhet të iki, sado që duket se nuk bën sens në këtë mënyrë. Do të ktheheshim 30 vite pas.
Në 1997 ishte një hap gjigant pas, në do të ktheheshim në të njëjtën situatë përsëri. Akoma më të tmerrshme. Ajo fotoja e grupit në BE, me komisionerë dhe ata njerëzit që na mbështesin, do fshihej, nuk do ekzistonte. Nuk do të ketë as SPAK fare. Kë do të hetojnë në një situatë shkatërrimtare të kombit?”, tha mes të tjerash Endri Meksi.


