Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 51 personat e arrestuar në lidhje me protestat dhe përplasjet e ditëve të fundit në kryeqytet. Mes tyre, 11 persona janë lënë në arrest me burg, 5 në arrest shtëpie, ndërsa për 35 të tjerët janë caktuar masa më të lehta sigurie.
Sipas vendimit të shpallur këtë pasdite, 11 persona janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, 5 në “Arrest në shtëpi” dhe 25 me “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Për 10 persona të tjerë është caktuar masa “Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar”. Ata nuk lejohen të afrohen në një distancë prej 500 metrash nga institucionet publike, si dhe të qëndrojnë në sheshe apo mjedise ku zhvillohen tubime dhe manifestime pa autorizimin e Gjykatës.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi për 40 persona, me kusht që ata të mos mbahen të arrestuar, të ndaluar apo të izoluar për një çështje tjetër penale.
Nga 11 personat e lënë në masën “Arrest në burg”, Z.M., E.B., J.P., L.B. dhe S.F. dyshohen për veprat penale “Shkatërrim i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Për R.D. rëndojnë katër akuza: “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Ndërkohë, N.T. dhe B.M. dyshohen për “Pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”.
Tre personat e tjerë, G.S., A.A. dhe E.Sh., dyshohen për “Shkatërrimin e pronës”, “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditjen për shkak të detyrës”.
Në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” janë lënë K.B., E.Z., A.Çe., A.Ça. dhe K.B.
Dy prej tyre dyshohen për “Shkatërrimin e pronës” dhe “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa tre të tjerët për “Shkatërrimin e pronës”, “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Goditjen për shkak të detyrës”.
Masat e sigurisë janë caktuar në kuadër të hetimeve për ngjarjet e regjistruara gjatë protestave dhe përplasjeve të ditëve të fundit në Tiranë./ Top Channel













