Qendra Res Publica dhe një grup organizatash e aktivistësh të shoqërisë civile i kërkuan të shtunën Policisë së Shtetit të hetojë dhunën ndaj protestuesve dhe të marrë masa për parandalimin e saj, duke paralajmëruar se përsëritja e incidenteve gjatë pesë ditëve të fundit dëshmon një problem që shkon përtej përgjegjësisë individuale të efektivëve.
Në një letër të hapur drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hita, dhe drejtorit të Policisë së Tiranës, Oliger Torba, organizatat rendisin 31 raste dhe episode të raportuara gjatë protestave të 13-17 tetorit, bazuar në pamje filmike, raportime mediatike dhe njoftime zyrtare. Një pjesë e rasteve kërkojnë ende verifikim nga autoritetet.
Incidentet përfshijnë goditje me shkopinj gome dhe shkelma ndaj protestuesve të rrëzuar, plagosje të rënda, keqtrajtim të të miturve, ndalime nga policë civilë të paidentifikuar dhe pengim të gazetarëve gjatë raportimit.
Mes rasteve më të rënda përmendet ai i studentit 21-vjeçar Muhamet Skana, i cili, sipas letrës, pësoi fraktura në kafkë dhe shtyllën kurrizore pas ndërhyrjes policore, ndërsa ndihma mjekësore iu vonua për rreth tri orë.
Organizatat citojnë gjithashtu konstatimet paraprake të Avokatit të Popullit për shenja dhune ndaj personave të ndaluar dhe marrjen në pyetje të të miturve pa praninë e prindërve dhe psikologut.
“Kur e njëjta sjellje përsëritet nga njësi të ndryshme, shkaku duhet kërkuar edhe te udhëzimet, planifikimi, komanda dhe mbikëqyrja, jo vetëm te individi”, thuhet në letër.
Nënshkruesit kërkojnë ndalimin e forcës së panevojshme ndaj personave të neutralizuar, identifikimin e detyrueshëm të efektivëve, kufizimin e përdorimit të mjeteve të kontrollit të turmës dhe hetimin e përgjegjësisë së drejtuesve që mund të kenë urdhëruar ose toleruar dhunën.
Ata kanë paraqitur gjithashtu 19 kërkesa për informacion mbi operacionet policore, municionet e përdorura, personat e plagosur dhe urdhrat e dhënë gjatë ndërhyrjeve.
Letra kërkon ruajtjen e regjistrimeve filmike dhe një hetim të pavarur të operacioneve, duke paralajmëruar se pezullimi i disa efektivëve nuk mjafton për të garantuar llogaridhënien.
Organizatat pranojnë se gjatë protestave ka pasur dhunë ndaj policëve dhe dëmtime të pronës, por theksojnë se këto akte nuk justifikojnë përdorimin e paligjshëm të forcës nga shteti.







