PD: Persona me maska po terrorizojnë të plagosurit në spital
Deputetët e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Besart Xhaferi, Zija Ismaili dhe Xhelal Mziu kanë shkuar në spitalin e Traumës dhe kanë denoncuar se protestuesit po përballen me një dhunë ekstreme nga forcat e rendit dhe jo vetëm.
Deputeti Spahia tha se disa qytetarë kanë shmangur marrjen e ndihmës mjekësore nga frika e strukturave të rendit. Spahia deklaroi se të plagosurit kanë pësuar dëmtime nga goditjet me shkopinj, gurë dhe plumba gome, ndërsa disa prej tyre kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ai përmendi edhe persona me fraktura të vertebrave dhe dëmtime në kokë.
Ai denoncoi gjithashtu praninë në spital të personave me maska dhe pa shenja identifikuese, të cilët, sipas tij, po intimidojnë të plagosurit dhe po krijojnë një klimë frike në ambientet ku ata kërkojnë ndihmë mjekësore.

