Rama: Korrupsioni është problem i madh, por kemi pranuar që drejtësia të godasë edhe radhët tona
Kryeministri Edi Rama ka folur për korrupsionin dhe reformën në drejtësi, duke pranuar se korrupsioni mbetet një problem i madh, por duke theksuar se qeveria e tij ka mbështetur krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.
Gjatë deklaratës së tij, Rama tha se Partia Socialiste ka pranuar që drejtësia të hetojë dhe të godasë edhe persona nga radhët e saj, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin.
“Korrupsioni është një problem. Asnjëherë s’e kam mohuar. Pikërisht sepse e kam ditur se është një problem shumë i madh, kam udhëhequr reformën në drejtësi. Ai SPAK është krijesë e kësaj vetëdijeje. Por ka një gjë, ne jemi një parti në pushtet dhe e kemi pranuar që shpata e drejtësisë të godasë në rreshtat tanë, sepse duam që ta bëjmë këtë vend. Por të tjerët çfarë bëjnë? SPAK dhe gjykata, me mbështetjen time dhe të kësaj force politike, kanë çuar përpara drejtësisë njerëz të fuqishëm. Pastaj, kush është fajtor, e tregon procesi. Nuk e tregojnë dot këta të korruptuarit moralë që nxisin dhunë dhe që u tregojnë shqiptarëve që nuk i dëgjon njeri”, deklaroi Rama.




