Protestat masive të së shtunës, më 17 tetor, kundër mungesës së fondeve për arsimin dhe përkeqësimit të shërbimeve publike u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme në disa qytete të Francës, ku u shënuan zjarrvënie, plaçkitje dhe dëme në ndërtesa publike. Sipas organizatorëve dhe sindikatës CGT, në rrugë dolën rreth 800 mijë persona, ndërsa Ministria e Brendshme franceze e vlerësoi pjesëmarrjen në 550 mijë demonstrues.
Në Paris, incidente të rënda u regjistruan në sheshin Place de la République, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe përplasjet me demonstruesit zgjatën për orë të tëra. Protestuesit u përpoqën t’u afroheshin ministrive dhe pallatit presidencial, ndërsa u sulmua edhe selia e rrjetit televiziv CNews.
Dhuna u përhap edhe në qytete të tjera. Në Limoges, një zjarr, që dyshohet se u shkaktua nga një koktej molotovi, shkaktoi dëme të shumta në ndërtesën historike të bashkisë, e cila daton në shekullin e 19-të. Në Marsejë, grupe protestuesish me kapuçë sulmuan bashkinë dhe shkruan slogane anarkiste në mure, ndërsa u raportuan edhe plaçkitje të dyqaneve.
Ndërkohë, në Lion u dogj një zyrë turistike, në Lilë u shkaktuan dëme në bashki, ndërsa në Grenoble banorët e një ndërtese u evakuuan pas rënies së zjarrit.
Një nga incidentet më të rënda u regjistrua në Saint-Etienne, ku një 17-vjeçar humbi dorën. Sipas raportimeve, i mituri u plagos nga një granatë e hedhur nga forcat e policisë, të cilën dyshohet se e kapi me duar.
Kryeministri francez Sébastien Lecornu njoftoi se 150 efektivë policie dhe xhandarë u plagosën gjatë protestave. Një raportim i mëparshëm fliste për rreth 60 efektivë të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje kritike.
Autoritetet kryen më shumë se 1,200 arrestime, shumica në Paris. Mes personave të ndaluar kishte edhe të mitur.
Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi dhunën, duke deklaruar se ajo nuk ka vend në demokraci. Ai bëri thirrje për unitet kundër atyre që, sipas tij, mbjellin kaos, dhe u zotua se personat përgjegjës për incidentet do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen.
Nga ana tjetër, Lecornu deklaroi se askush nuk do të imponojë axhendën e tij politike përmes dhunës, duke kritikuar lëvizjen e majtë Franca e Panënshtruar, të drejtuar nga Jean-Luc Mélenchon. Edhe ministri i Brendshëm akuzoi të majtën ekstreme për nxitjen e dhunës.

