Si duhet lexuar deklarata e ambasadës së SHBA dhe vendosmeria e kryeministrit sot për Protestën
Reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka një mesazh të prerë: djegia, shkatërrimi i pronës dhe lëndimi i njerëzve nuk mund të paraqiten si angazhim qytetar. Kush mendon se përmes dhunës do të sigurojë mirëkuptimin amerikan për rrëzimin e qeverisë, duhet ta lexojë me kujdes këtë deklaratë. SHBA nuk mbështet dhunën!
Në tekstin e publikuar nuk ka kërkesë për dorëheqjen e kryeministrit, as thirrje për negociata politike. Ka një dënim të qartë të dhunës dhe një apel për ushtrimin paqësor të së drejtës së protestës. Ambasada kërkon gjithashtu vetëpërmbajtje nga të gjitha palët, çka përfshin edhe autoritetet shtetërore.
Politikisht, ky qëndrim i jep forcë Ramës në përballjen me dhunën. Nuk përbën një deklaratë besnikërie ndaj qeverisë së tij, por mbështet parimin mbi të cilin kryeministri po ndërton përgjigjen: pakënaqësia nuk i jep askujt të drejtën të djegë qytetin dhe të imponojë ndryshimin e pushtetit me forcë.
Kjo diferencë ka rëndësi. Uashingtoni nuk ka nevojë të thotë “jemi me Ramën” që mesazhi të ketë favore politike për kryeministrin. Mjafton të përcaktojë qartë se dhuna nuk është protestë qytetare. Për këdo që kërkon ta kthejë përplasjen në rrugë në instrument pushteti, ky është një kufi i fortë.
Ndërkohë sot doli Edi Rama, që po e vendos përballjen në terrenin e rendit dhe të mbrojtjes së institucioneve. Qëndrimi i tij kundër dorëheqjes, i shoqëruar me gatishmërinë e deklaruar për të diskutuar shqetësimet e ligjshme, synon të ndajë kërkesat qytetare nga veprimet shkatërruese.
Studentët kanë të drejtë të kërkojnë arsim më të mirë, mundësi punësimi dhe përgjigje për korrupsionin. Qeveria ka detyrimin t’i dëgjojë dhe të përgjigjet konkretisht. Por asnjë prej këtyre kërkesave nuk përmbushet duke djegur biznesin e një qytetari apo duke sulmuar punonjësin e policisë. Fatura e shkatërrimit i mbetet shoqërisë, ndërsa kauza e protestës humbet mbështetje.
Po aq qartë duhet thënë se pretendimet e kryeministrit për një dorë të huaj, organizatorë të paguar apo një plan sulmi me dron me eksploziv kërkojnë prova dhe hetim. Janë akuza tepër serioze për të mbetur në nivel deklaratash politike. E megjithatë qeveria duhet të ketë mundësinë që këto prova t’i bëjë publike emrat, kush ishin, cila “dorë e huaj” e organizoi,etj.
Mesazhi politik është i fortë, nga deklarata amerikane nuk del asnjë mbështetje për përdorimin e trazirave si rrugë drejt pushtetit. Ky qëndrim e forcon kryeministrin në mbrojtjen e rendit, por i ngarkon edhe përgjegjësinë të japë përgjigje për pakënaqësinë që nxjerr qytetarët në shesh.
Kush ka një kauzë, duhet ta bëjë të dëgjueshme. Kush djeg, duhet të përgjigjet. Dhe kush kërkon të qeverisë Shqipërinë ka nevojë të jap përgjigje për çdo shqetsim qytetar.
Qeveria ka mekate, por ajo rrëzohet me votë!
Kur të ketë zgjedhje mos e voto dhe je në rregull.
/SP/

