Një 30-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në Dibër, pasi u kap me një kallashnikov dhe një pistoletë në taksinë që drejtonte. Armët dyshohet se i kishte marrë në zonën e Tufinës, në Tiranë, dhe po i transportonte drejt Maqedonisë së Veriut, ku synonte të kalonte përmes kufirit të gjelbër.
30-vjeçari A. T. u ndalua nga policia në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”. Gjatë kontrollit të automjetit, në sediljen e pasme u gjet një kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.
Nga hetimet e para, policia dyshon se i riu kishte udhëtuar nga Tirana drejt Dibrës për të transportuar armët në Maqedoninë e Veriut, duke shmangur pikat zyrtare të kalimit kufitar.
Armët dhe municioni u sekuestruan, ndërsa 30-vjeçari u arrestua në flagrancë gjatë operacionit të koduar “Taksia”.
Njoftimi i plotë i Policisë
Dibër/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taksia”
Transportonte me taksi 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë), me municion luftarak, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari.
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit dhe municioni luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Taksia”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. T., 30 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin taksi që drejtohej nga 30-vjeçari, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”, shërbimet e Policisë gjetën, në sediljen e pasme, një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një armë zjarri pistoletë, me një fishek në fole dhe një fishek në krehër.
Armët dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 30-vjeçari i kishte marrë armët në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim transportimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento