Ndërkohë që vendi po përballet me protesta të dhunshme anti-qeveritare, Partia e Lirisë kërkoi sot largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kundërshtoi çdo marrëveshje apo negociatë politike që do t'i mundësonte atij të qëndronte në pushtet.

Tedi Blushi tha sot se nuk mund të ketë pazare politike me Ramën dhe se largimi i tij është kusht për ndryshimin politik në vend.

“Koha e fjalëve ka mbaruar. Durimi ka shteruar. Nuk mund të ketë as paqe të rreme, as pazare politike dhe as negociata që i japin frymëmarrje një regjimi të vdekur, duke zgjatur agoninë e tij në kurriz të shqiptarëve”, shkruan Blushi, duke theksuar se ndryshimi duhet të nisë me largimin e kryeministrit.

Ai akuzoi ata që pranojnë të ulen në tryezë me Ramën se u shërbejnë interesave të kryeministrit, tregojnë verbëri politike ose janë “patronazhistë me maskë”.

Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar nga burgu një propozim me tri pika për ndryshime në sistemin politik dhe kushtetues të vendit.

Meta kërkon rikthimin te Kushtetuta e miratuar me referendum nga qytetarët, përpara ndryshimeve të vitit 2008.

Propozimi i dytë është sanksionimi në Kushtetutë i një qeverie teknike përpara çdo palë zgjedhjesh parlamentare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa pika e tretë parashikon që Presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

“Shqipëria e ka zgjidhjen shumë të thjeshtë për të gjithë ata që i kanë sytë në ballë dhe duan një Republikë të vërtetë Parlamentare ku sovraniteti i përket popullit”, shkruajti Meta.