Koçeku për CNN: Qeveria i përshkallëzoi protestat me arrogancë, policia po dhunon të rinjtë

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka dhënë një intervistë për CNN, ku ka folur për vendimin e saj për t’u larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe për protestat e të rinjve kundër qeverisë, të cilat prej disa ditësh po zhvillohen në Tiranë.

Koçeku tha se shkëputja nga grupi parlamentar erdhi pas dhjetë muajsh angazhim politik me Partinë Socialiste. Ajo shtoi se protestat e Gen Z ndikuan në vendimin e saj, pasi kërkesat e kësaj lëvizjeje dhe kundërshtimi ndaj disa politikave nuk përputheshin më me bindjet e saj.

Të lidhura

None found

Sipas deputetes, pakënaqësia e qytetarëve është nxitur nga emigrimi masiv i të rinjve, skandalet e korrupsionit dhe përqendrimi i pushtetit. Ajo e akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe arrogancë, ndërsa tha se brezi i ri po kërkon një raport të ri mes institucioneve dhe qytetarëve.

“Ky zemërim është grumbullimi i një revolte shumëvjeçare, veçanërisht po të kemi parasysh largimin masiv të të rinjve nga vendi, sidomos gjatë dhjetë viteve të fundit. Kemi skandale të mëdha korrupsioni, të cilat, sipas institucioneve të drejtësisë, mund të arrijnë në rreth 7% të buxhetit të shtetit për këtë vit”, deklaroi ajo.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë intervistës ishte sjellja e policisë në protestë. Koçeku u shpreh se ka marrë pjesë në tubime dhe se ka parë vetë, sipas saj, përdorimin e forcës ndaj studentëve dhe të miturve.

Ajo pretendoi se protestuesit janë goditur me shkopinj dhe janë sulmuar me gaz irritues. Po ashtu, deputetja foli për persona me veshje civile, të cilët, sipas saj, kanë ndaluar të rinj në rrugë dhe i kanë çuar në komisariate.

“I kanë goditur, kanë përdorur shkopinj dhe gaz irritues. Por një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut është veprimi i policëve civilë, të veshur me rroba të zakonshme, të cilët po sillen në mënyrë të ngjashme me rrëmbime, duke marrë nga rruga të mitur dhe studentë e duke i dërguar në komisariat”, u shpreh Koçeku.

Deputetja tha gjithashtu se ka pasur raste kur personave të dëmtuar u është refuzuar ndihma në spital, edhe pse nuk kishin marrë pjesë në protesta. “Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse institucioni që pritet të na mbrojë po përdor të gjithë fuqinë e tij për të shtypur zërin, kërkesat dhe lirinë e këtyre të rinjve”, deklaroi ajo.

Koçeku nënvizoi se protestat janë pasojë e një pakënaqësie të krijuar ndër vite. Sipas saj, të rinjtë po kërkojnë transparencë, përgjegjshmëri dhe një mënyrë tjetër komunikimi të qeverisë me qytetarët.

CNN: Ju u zgjodhët deputete me Partinë Socialiste të Edi Ramës. Çfarë ju shtyu të dilnit kundër qeverisë së tij?

Marjana Koçeku: Faleminderit për intervistën. Kanë kaluar një vit që kur jam bërë pjesë e politikës, si deputetja më e re e Parlamentit. Tre muaj më parë, pas dhjetë muajsh angazhim politik me Partinë Socialiste, mora vendimin të largohesha nga grupi parlamentar.

Ky vendim u ndikua veçanërisht nga protestat e brezit Z, të cilat nisën në Tiranë katër ditë më parë dhe u njohën si Revolucioni i Flamingove. Më pas, kjo lëvizje u përhap edhe në diasporën shqiptare në mbarë botën.

Protestat më frymëzuan shumë, sepse kundërshtonin politika që ishin tërësisht kundër natyrës, kundër shqiptarëve dhe kundër kërkesave të tyre. Për këtë arsye, nuk e shihja më veten në atë grup, pasi një qëndrim i tillë nuk përputhej me parimet e mia dhe me identitetin tim si shqiptare, të cilin më është besuar ta përfaqësoj në Parlament.

CNN: Sipas jush, cilat janë arsyet që i kanë zemëruar njerëzit deri në atë pikë sa të dalin në rrugë?

Marjana Koçeku: Ajo që po shohim është rezultat i një revolte të mbledhur gjatë shumë viteve. Një faktor i rëndësishëm është largimi i madh i të rinjve nga Shqipëria, veçanërisht gjatë dhjetë viteve të fundit.

Gjithashtu, janë skandalet e mëdha të korrupsionit, të cilat, bazuar në të dhënat e institucioneve të drejtësisë, mund të përbëjnë rreth 7% të buxhetit të shtetit për këtë vit. Këtu përfshihen edhe çështjet e korrupsionit që lidhen me kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë.

Megjithatë, një rol të veçantë ka edhe arroganca e jashtëzakonshme e partisë në pushtet, si dhe mbledhja e pushtetit në duart e një personi të vetëm, kryeministrit Rama.

Pikërisht për këtë arsye, qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë po kërkojnë një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Ata nuk duan më arrogancë, një nivel të tillë korrupsioni apo një mungesë kaq të madhe transparence.

CNN: Ju keni folur për dhunë policore ndaj protestuesve, mes tyre edhe të mitur. Çfarë keni parë konkretisht?

Marjana Koçeku: Që nga fillimi i protestave, katër ditë më parë, kam qenë vazhdimisht e pranishme. Me sytë e mi kam parë dhunën që Policia e Shtetit ka përdorur ndaj studentëve dhe sidomos ndaj të miturve.

Protestuesit janë goditur, ndërsa ndaj tyre janë përdorur shkopinj dhe gaz irritues. Por shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut, sipas meje, lidhet me ndërhyrjen e policëve civilë, të cilët veshin rroba të zakonshme dhe veprojnë në një mënyrë që ngjan me rrëmbimin e personave.

Ata marrin të mitur dhe studentë nga rruga dhe i dërgojnë në komisariate. Në jo pak raste, kjo u ka ndodhur edhe personave që nuk kanë qenë pjesë e protestave. Madje, ka pasur raste kur të lënduarve u është mohuar ndihma spitalore, edhe pse dëmtimet kanë ardhur nga dhuna e ushtruar ndaj tyre.

Kjo është shumë shqetësuese, pasi institucioni që duhet të garantojë mbrojtjen e qytetarëve po përdor të gjithë fuqinë e tij për të heshtur zërin, kërkesat dhe lirinë e të rinjve.


Shtuar më 18.10.2026 13:26

Quantcast