Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Albert Nushit, shefit të Sektorit të Drejtimit në Departamentin e Sigurisë Publike, i cili tha se aktivizimi i forcave speciale u bë pas një telefonate në sallën operative, ku pretendohej se mes protestuesve kishte persona të armatosur.
Dervishi thekson se një telefonatë mund të shërbejë si sinjal alarmi, por sipas tij, kjo nuk e përjashton nevojën për verifikimin e informacionit dhe përcaktimin e përgjegjësisë për vendimin e marrë.
“Një telefonatë mund të japë alarmin, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë për vendimin e marrë”, shkruan analisti.
Sipas Dervishit, angazhimi i forcave speciale në një protestë duhet të mbështetet në një arsye konkrete dhe në një vlerësim të qartë të rrezikut.
“RENEA nuk është grup i gatshëm për menaxhimin e protestave. Dalja e saj në terren duhet të ketë një arsye konkrete, një vlerësim të rrezikut dhe një zinxhir të identifikueshëm vendimmarrjeje”, thekson ai.












