Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka mohuar kategorikisht lajmin që po qarkullon se një i mitur ka humbur jetën gjatë protestës, duke e cilësuar informacionin të pavërtetë.
Përmes një njoftimi zyrtar, ministria bëri të ditur se deri në momentin e raportimit, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur tre persona: një efektiv policie, një 15-vjeçar dhe një përfaqësuese e medias.
Sipas institucionit, gjendja shëndetësore e të treve paraqitet e qëndrueshme. Ata po kryejnë ekzaminimet e nevojshme dhe po marrin trajtimin përkatës nga stafet mjekësore dhe infermierore.
Ministria ka hedhur poshtë raportimet për vdekjen e të miturit, duke u bërë thirrje mediave dhe qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi në verifikimin e informacionit përpara publikimit dhe shpërndarjes së tij.
Sipas njoftimit, përhapja e lajmeve të pakonfirmuara mund të shkaktojë panik, shqetësim te familjarët dhe tensione të panevojshme në opinionin publik.
Institucioni u kërkon mediave dhe publikut që t’u referohen informacioneve të verifikuara dhe burimeve zyrtare për zhvillimet që lidhen me protestën.

