Përshkallëzohen sërish tensionet pranë Ministrisë së Brendshme, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë ndaj protestuesve, ndërsa këta të fundit janë kundërpërgjigjur duke hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit.
Situata në zonë është tensionuar sërish, me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, të cilët kanë krijuar një kordon për të penguar avancimin e turmës drejt Kryeministrisë.
Protesta vijon mes tensioneve, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata në terren.
Akte dhune, shkatërrim dhe përplasje me policinë. E njëjta panoramë kaosi po përsëritet edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Pas sulmeve me gurë ndaj efektivëve pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan për rreth një orë nëpër rrugët e kryeqytetit, për t’u zhvendosur më pas drejt selisë së Partisë Socialiste, ku thyen xhamat e godinës. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Protestuesit po marshojnë nëpër rrugë, duke djegur kosha e duke shkatërruar tabela, ndërsa nuk mungojnë as sulmet me fishekzjarrë ndaj policisë. Deri më tani raportohet për 3 të lënduar, një prej tyre i mitur, dhe gazetarja Elira Kadriu që u qëllua me gurë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e kësaj të diele nisi më vonë, rreth orës 12:30, me grumbullimin e protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit. Forca të shumta policie dhe autobotë me ujë ishin vendosur në gatishmëri, ndërsa për gati një orë situata ishte e qetë. Por rreth orës 13:20 nisën sulmet e para me gurë drejt forcave të rendit, ndërsa situata u përshkallëzua rreth orës 13:50. Gjatë hedhjes së gurëve mbeti e lënduar në pjesën e legenit edhe gazetarja Elira Kadriu, për të cilën mbërriti një ambulancë. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa protestues dhe duke ushtruar kontrolle në çantat e tyre.
Pas orës 14:00, protestuesit u larguan nga Ministria e Arsimit dhe nisën një marshim nëpër rrugët e Tiranës. Ata kaluan pranë Bashkisë, Kishës Ortodokse, Bllokut të Ministrive, zonës së Toptanit dhe 9-katësheve, për t’u rikthyer sërish drejt qendrës.
Pas rreth një ore akte dhune nëpër kryeqytet, dhuna u zhvendos te selia e Partisë Socialiste. Një grup protestuesish, kryesisht të rinj të maskuar, arritën të kalonin kordonin e policisë dhe nisën të godisnin godinën me gurë e sende të forta, duke thyer xhamat. Nga brenda selisë së PS-së u panë të dilnin edhe persona të maskuar me shkopinj në duar, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.