Aktualitet

LAJM I FUNDIT/ Përshkallëzohet protesta, hidhen ‘breshëri’ molotovësh drejt Policisë!

Përshkallëzohet protesta, hidhen ‘breshëri’ molotovësh drejt Policisë! Protestuesit kanë sulmuar dy skuadra policore të vendosura mes Ministrisë së Ekonimisë dhe asaj të Bujqësisë duke i detyruar të tërhiqen. Policia ka ndërhyrë nga krahu i bulevardit me hedhje masive gazi lotsjellës dhe uji me presion. Plumba gome janë përdorur masivisht.

Akte dhune, shkatërrim dhe përplasje me policinë. E njëjta panoramë kaosi po përsëritet edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Pas sulmeve me gurë ndaj efektivëve pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit marshuan për rreth një orë nëpër rrugët e kryeqytetit, për t’u zhvendosur më pas drejt selisë së Partisë Socialiste, ku thyen xhamat e godinës. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Protestuesit po marshojnë nëpër rrugë, duke djegur kosha e duke shkatërruar tabela, ndërsa nuk mungojnë as sulmet me fishekzjarrë ndaj policisë. Deri më tani raportohet për 3 të lënduar, një prej tyre i mitur, dhe gazetarja Elira Kadriu që u qëllua me gurë.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e kësaj të diele nisi më vonë, rreth orës 12:30, me grumbullimin e protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit. Forca të shumta policie dhe autobotë me ujë ishin vendosur në gatishmëri, ndërsa për gati një orë situata ishte e qetë. Por rreth orës 13:20 nisën sulmet e para me gurë drejt forcave të rendit, ndërsa situata u përshkallëzua rreth orës 13:50. Gjatë hedhjes së gurëve mbeti e lënduar në pjesën e legenit edhe gazetarja Elira Kadriu, për të cilën mbërriti një ambulancë. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa protestues dhe duke ushtruar kontrolle në çantat e tyre.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.