Dita e 6-të e protestës/ Tirana në kaos, “breshëri” molotovësh komisariatit nr 3 dhe tre ministrive, sulmohet selia e PS, protestuesit me maska “strehohen” në PD, 19 efektivë të lënduar

18/10/2026 20:36

Tirana ishte e gjitha në kaos edhe përgjatë kësaj të diele. Sasi të mëdha molotovësh, fishekzjarrësh e gurësh u hodhën në drejtim të policisë edhe gjatë mbrëmjes, ndonëse situata më e rrezikshme ishte ajo e pasdites te Sheshi Skëndërbej, ku pati përplasje të fortë mes policisë e disa protestuesve që qëllonin me shkopinj.

Bulevardi dëshmorët e Kombit disa herë gjatë ditës u kthye në skenë përballje mes protestuesve që sulmonin dhe policisë që përgjigjej me gaz lotsjellës e ujë, por edhe me plumba gome.

Gjatë mbrëmjes protestuesit u rikthyen sërish te selia e Partisë Socialiste për ta sulmuar. Po ashtu përplasje të forta ka pasur edhe tek Banka e Shqipërisë

Rruga e Kavajës, Rruga Bardhyl, Rruga e Dibrës dhe Ushtari i Panjohur ishin disa prej pikave të konfrontimit mes protestuesve dhe policisë. Nuk ka munguar as djegia e koshave kudo ku turma ka kaluar. Protestuesit kanë hedhur një sasi të madhe molotovi drejt efektivëve te Ura e Lanës, pranë selisë së PD-së.

Gjatë ditës pati disa të shoqëruar. Flakëve të shkaktuara nga molotovi nuk i shpëtoi as komisariati i policisë nr 3 në rrugën “Mine Peza”, por as Ministria e Brendshme, ndërsa sulme pati te ministria e Infrastrukturës dhe tek ajo e Bujqësisë.

Gjatë mbrëmjes protestuesit sulmuan me molotovë, gurë dhe fishekzjarrë forcat e policisë. Pas përplasjeve dhe ndërhyrjes së efektivëve me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome, një pjesë e protestuesve u drejtuan dhe u strehuan në selinë e Partisë Demokratike, ku më pas efektivët kanë shkuar dhe kanë përdorur gaz lotsjellës..

Konfirmohen 19 efektivë policie të lënduar, 4 protestues, mes tyre 1 mitur, një gazetare dhe 4 kalimtarë

Orë pas ore: 

Video/ I gjakosur në rrugë, një person goditet nga protestuesit, policia e largon nga turma

 

Top Channel