Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 6-të e protestave studentore/ Tirana në tension nga dhuna policore ndaj të rinjve

KE dënon dhunën në Shqipëri: Reagimi duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin

KE dënon dhunën në Shqipëri: Reagimi duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin

18:54, 18/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Komisioni Evropian ka reaguar për protestat e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke dënuar aktet e dhunës, zjarrvëniet dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore, ndërsa thekson se çdo reagim ndaj tyre duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional.

Në një deklaratë të publikuar nga platforma ‘European Union in Albania’, Komisioni Evropian dënon shkatërrimin e pronës publike dhe private, duke nënvizuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.

‘Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvënien, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të jetë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe proporcional’, thuhet në deklaratë.

Komisioni Evropian thekson se personat përgjegjës për aktet e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procedurave të rregullta ligjore. Njëkohësisht, ai rikujton se e drejta për tubim dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen.

‘Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore’, theksohet në reagim.

Në deklaratë mirëpritet gjithashtu angazhimi i autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën e protestës.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Komisioni Evropian nënvizon se shqetësimet e qytetarëve duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.

‘Në një vend kandidat, të angazhuar me vendosmëri në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën e tij evropiane, shqetësimet duhet të adresohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore’, thuhet në deklaratë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco