Komisioni Europian ka reaguar lidhur me protestat që prej gjashtë ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë, pas nisjes së tubimeve studentore kundër qeverisë.
Në deklaratën e tij, Komisioni Europian dënon aktet e dhunës, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Njëkohësisht, Brukseli thekson se reagimi i forcave të rendit duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional me situatën.
Komisioni Europian nënvizon gjithashtu se personat përgjegjës për aktet e dhunës duhet të dalin para drejtësisë, përmes një procesi të rregullt ligjor.
Reagimi vjen në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me tensione dhe incidente, përfshirë përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si dhe raportime për dëmtime të institucioneve dhe pronës.
Mesazhi i Komisionit Europian vë në fokus nevojën për respektimin e ligjit nga të gjitha palët, si dhe rëndësinë që ndërhyrjet e policisë të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet ligjore.
Deklarata
Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional.
Përgjegjësit duhet të mbahen para drejtësisë, përmes një procesi të rregullt ligjor.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar mbrojtjen e së drejtës për të protestuar. Në një vend kandidat që është plotësisht i angazhuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.

