Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit në Tiranë janë shoqëruar me përdorim të gazit lotsjellës dhe, sipas raportimit të gazetarit Elkier Bushkolaj, me të shtëna me plumba plastikë në drejtim të protestuesve.
Gjatë raportimit live, gazetari ka dënuar ndërhyrjen e forcave të policisë, duke e cilësuar atë brutale dhe duke ngritur shqetësimin për sigurinë e të rinjve që ndodheshin në protestë.
‘Shikoni, shikoni me armë! Shikoni, i kemi këtu me armë! Direkt në drejtim të trupit, kjo është e pafalshme!’, deklaroi gazetari, teksa kamerat transmetonin pamjet nga vendngjarja.
Ai e cilësoi ndërhyrjen e policisë si ‘akte shumë burracake’, ndërsa theksoi se protestuesit po përpiqeshin t'u rezistonin ndërhyrjeve të forcave të rendit. Sipas tij, disa prej të rinjve u larguan drejt zonës së Bllokut, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës e bëri të vështirë qëndrimin në zonë edhe për gazetarët që po raportonin drejtpërdrejt.
Gjatë transmetimit, gazetari ngriti shqetësimin për gjendjen shëndetësore të protestuesve, duke shprehur frikën se mund të kishte persona të lënduar nga gazi dhe plumbat plastikë.
Ai kritikoi gjithashtu standardet e Policisë së Shtetit, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e ndërhyrjes ndaj protestuesve të rinj dhe duke theksuar rëndësinë e pranisë së kamerave për dokumentimin e veprimeve të efektivëve.
Pamjet dhe dëshmitë e raportuara nga vendngjarja rikthejnë në vëmendje shqetësimet për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve për tubim paqësor.
© SYRI.net