Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave në Shqipëri, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë lidhje me të drejtën për të protestuar.
Përmes një postimi në Facebook, Peleshi u shpreh se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë të drejta dhe të synojnë një të ardhme të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian, por nënvizoi se dhuna nuk është mënyra për të adresuar shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve.
“Sulmet ndaj institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë të bëjnë as me studentët, as me të drejtën e tyre për të protestuar”, shkruan Peleshi, duke publikuar edhe deklaratën e Komisionit Evropian lidhur me protestat që po zhvillohen prej gjashtë ditësh në Tiranë.
Peleshi: Të ulemi dhe të dialogojmë
Kryetari i Kuvendit u ka bërë thirrje palëve të zgjedhin dialogun dhe dëgjimin e ndërsjellë, duke paralajmëruar se zgjatja e tensioneve mund ta vështirësojë komunikimin.
“Le të ulemi me njëri-tjetrin. Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun”, shprehet ai, duke theksuar se komunikimi duhet të vijojë edhe kur palët kanë qëndrime të ndryshme.
Në përfundim të mesazhit të tij, Peleshi bëri apel për bashkim dhe bashkëpunim në interes të vendit.
“T’i japim dorën njëri-tjetrit sot! Jemi për një qëllim. Për Shqipërinë”.

