Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin e të lënduarve gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Sipas përditësimit të orës 21:00, në dy spitalet kryesore të kryeqytetit kanë marrë shërbim mjekësor gjithsej 28 persona.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar 23 të lënduar: 17 efektivë policie, një protestues i mitur, një përfaqësuese e medias dhe katër kalimtarë.
“Aktualisht në urgjencën e SUT po merr trajtim 1 efektiv policie, ndërsa përfaqësuesja e medias është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, gjendja shëndetësore është e mirë”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të lënduar, dy efektivë policie dhe tre protestues.
“Aktualisht, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së këshillës mjekësore”, bëhet e ditur në njoftimin e QSUT-së.
14 persona vijojnë të marrin trajtim mjekësor
Ministria bën me dije se, nga 13 tetori e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14. Mes tyre janë pesë efektivë policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.
Në përfundim të njoftimit, Ministria e Shëndetësisë ka falënderuar mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore për kujdesin ndaj të lënduarve, duke theksuar se mbetet e angazhuar për garantimin e shërbimit shëndetësor për çdo qytetar, pa dallim dhe në çdo rrethanë.
Shënim: Sipas shifrave të detajuara në njoftim, nga 28 personat e trajtuar, 19 janë efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.

