Shkrimtarja Lea Ypi ka reaguar për protestat e dhunshme që po zhvillohen në Tiranë, duke kritikuar si dhunën e protestuesve, ashtu edhe atë të policisë. Sipas saj, zemërimi qytetar nuk mund të sjellë ndryshim të qëndrueshëm pa një strategji të qartë dhe një projekt konkret për të ardhmen e vendit.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Ypi u shpreh se nuk ndihet e përfaqësuar as nga e majta në pushtet dhe as nga e djathta opozitare, të cilën e akuzon se nxit turmat të ndezin zjarre dhe të hedhin kapsolla në bulevard.
“Dhuna pa strategji e pa plan për të ardhmen kthehet në vëllavrasje të kotë”, shkruan ajo, duke theksuar se ndryshimi politik nuk mund të reduktohet në zëvendësimin e një individi me një tjetër.
Sipas Ypit, 35 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria ende nuk ka një projekt të mirëfilltë për ndryshimin e sistemit politik dhe shoqëror. Ajo argumenton se largimi i një drejtuesi dhe ardhja e një tjetri përbën një projekt partiak, jo një transformim të sistemit.
“Zëvendësimi i oligarkisë me demokraci sociale, ky po që është projekt politik”, shprehet shkrimtarja, duke vënë në dukje se realizimi i këtij objektivi përballet me vështirësi të shumta, nga faktorët gjeopolitikë dhe konfliktet e brendshme deri te ndikimi i oligarkisë mbi institucionet dhe politikën.
Në analizën e saj, Ypi argumenton se korrupsioni nuk është shkaku i vetëm i krizës politike, por pasojë e një sistemi ekonomik që, sipas saj, favorizon përqendrimin e pushtetit dhe mundëson ndikimin e interesave të fuqishme private mbi vendimmarrjen publike.
Ajo ndalet edhe te mungesa e standardeve demokratike për llogaridhënien e drejtuesve politikë, duke kritikuar kulturën e kultit të individit që, sipas saj, ka shoqëruar partitë që kanë qeverisur vendin pas komunizmit. Ypi kërkon gjithashtu më shumë punë për të ndihmuar brezin e vjetër të përballet me traumat e së shkuarës dhe për ta orientuar zemërimin e të rinjve drejt zgjidhjeve konkrete.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse dënon dhunën policore, shkrimtarja u shpreh qartë kundër përdorimit të forcës nga autoritetet.
“Një shtet ku mbizotëron e drejta nuk ka nevojë ta mbajë rendin me shkopa gome”, shkruan ajo, ndërsa shton se mbështet si studentët që protestojnë, ashtu edhe efektivët e policisë që, sipas saj, rrezikojnë jetën për të siguruar jetesën.
Ypi komentoi edhe çështjen e dorëheqjes së drejtuesve politikë, duke thënë se, po të ishte në drejtimin e Shqipërisë, mund të kishte dhënë dorëheqjen që në qershor, por edhe pas ngjarjeve të tjera politike. Megjithatë, ajo theksoi se nuk ka asgjë të re për të shtuar në këtë debat dhe kritikoi prirjen për ta zhvendosur diskutimin nga alternativat shoqërore te biografitë individuale.
Në përfundim, shkrimtarja u bëri thirrje studentëve, aktivistëve dhe mbështetësve të së majtës që t’u rikthehen protestave paqësore dhe ta shfrytëzojnë mobilizimin qytetar për të ndërtuar një alternativë të re politike.
Ajo paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e manipulimit dhe përçarjes nga aktorë që, sipas saj, nuk ndajnë të njëjtin projekt politik, duke theksuar se ndërtimi i një të majte të mirëfilltë kërkon punë intelektuale, angazhim politik dhe durim.
Postimi i plotë
Të dashur miq, gazetarë e lexues që më keni shkruar për të më kërkuar një mendim për protestat në Shqipëri: mendimin tim e kam bërë të qartë katër muaj më parë dhe nuk e kam ndryshuar. Po e përsëris, meqë pyetjet vazhdojnë.
Siç e dini shumë mirë, nuk jam ndier ndonjëherë e përfaqësuar nga e majta qeverisëse në Shqipëri dhe nuk ndihem e përfaqësuar as nga e djathta opozitare që i nxit turmat të ndezin zjarre e të hedhin kapsolla në bulevard. Dhuna pa strategji e pa plan për të ardhmen kthehet në vëllavrasje të kotë.
Kjo nuk do të thotë se dhuna për një parim të drejtë është e gabuar në çdo rrethanë. Por dhuna politike justifikohet vetëm kur, së pari, pas saj ka një projekt të bindshëm ndryshimi shoqëror dhe, së dyti, kur dhuna është mënyra e vetme për ta realizuar atë projekt. Kjo ishte Shqipëria në dhjetor 1990.
Tani cili është projekti?
Është fatkeqësi që në shoqërinë shqiptare, 35 vjet pas rënies së komunizmit, i vetmi projekt i ndryshimit të pushtetit shtrohet si zgjedhje ndryshimi pushtetarësh. Zëvendësimi i një individi në pushtet (apo në opozitë) me një individ tjetër nuk është projekt sistemi as kombëtar, është projekt partiak. Janë partitë përkatëse ato që duhet të marrin përgjegjësi.
Zëvendësimi i oligarkisë me demokraci sociale, ky po që është projekt politik. Ky projekt sot për sot është shumë i vështirë për t’u realizuar në Shqipëri (po edhe në botë): ca për arsye gjeopolitike, ca se na ngatërrohet kultura e feja, ca për faj të konflikteve të brendshme, ca se sa më e brishtë të jetë demokracia e sa më agresiv të jetë kapitalizmi, aq më shumë oligarkët arrijnë të blejnë çdo pushtet, çdo politikan, çdo zyrtar (si ata që janë tani aty, ashtu edhe ata që do të vijnë).
Po edhe se duhet punuar më shumë me brezin e vjetër për të kuptuar traumat e së shkuarës e me atë të ri për ta kthyer zemërimin në zgjidhje.
Problemi është se standardet demokratike për t’u kërkuar transparencë udhëheqësve në Shqipëri nuk janë vënë kurrë. Nga njëra anë, sepse i gjithë rendi i ashtuquajtur demokratik është pjellë e PPSH-së, nga gjiri i së cilës dolën drejtuesit e të dyja partive që kanë qeverisur që atëherë. Kultura politike e tyre është kultura e kultit të individit.
Nga ana tjetër, sepse kapitalizmi nuk ka nevojë për demokraci për t’u zhvilluar: tregut privat i mjafton të ketë klientë. Korrupsioni nuk është kurrë shkaku i krizës të rendit politik, është pasojë e nënshtrimit ndaj rendit ekonomik. Në kapitalizëm edhe njeriun më të ndershëm e asgjëson sistemi. Ose e përdor duke e blerë, ose e nxjerr jashtë përdorimit kur nuk e ble dot.
Tani ca përgjigje ndaj pyetjeve që më bëhen shpesh këto ditë.
A e dënoj unë dhunën e policisë?
Sigurisht. Një shtet ku mbizotëron e drejta nuk ka nevojë ta mbajë rendin me shkopa gome. Gjithë dhembshurinë dhe mbështetjen time e kanë studentët në protestë, por edhe efektivët e policisë që rrezikojnë jetën për një kafshatë bukë.
A do ta kisha dhënë dorëheqjen unë po të isha sot në drejtim të Shqipërisë?
Me siguri në qershor. Po mbase edhe pas arrestimit të deputetit apo ministrit të parë. Mbase pas fitores së mandatit të radhës. Mbase pas organizimit të zgjedhjeve në parti. Fundja edhe për të vënë një standart ndryshe, dreqi ta hajë. Këto janë çështje rreth të cilave nuk kam asgjë të re për t’i shtuar debatit që zien në Tiranë. Janë thashetheme për stacionet e portalet të cilëve me siguri u intereson që debati rreth alternativës shoqërore të kthehet në çështje biografie individuale.
Studentëve, lexuesve, miqve, aktivistëve me të cilët na ndajnë bindjet e majta, do t’u kërkoja të rikthehen te protestat paqësore të qershorit, të përdorin hapësirat që krijojnë këto protesta për të ndërtuar alternativën që i duhet Shqipërisë (por edhe Europës) e për të rritur ndikimin e tyre politik sado e vështirë të jetë kjo në Shqipëri.
Do t’u kërkoja të shmangin bashkëudhëtimin, manipulimin e përçarjen nga ata që s’kanë asnjë lidhje me projektin tonë. Duhet këmbëngulje për të ndërtuar të majtën e vërtetë shqiptare, atë për të cilën shumë nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë u dergjën në burg. Duhet shumë punë intelektuale e politike, por mbi të gjitha duhet durim!

