Protesta e gjashtë kundër qeverisë, dje në Tiranë, u mbyll pas disa orësh me tensione dhe përplasje mes protestuesve e Policisë së Shtetit. Gjatë mbrëmjes, situata u tensionua në disa zona të kryeqytetit, ku protestuesit hodhën molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit dhe institucioneve shtetërore. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Protesta u shoqërua me incidente edhe pranë Komisariatit nr.3, ku sipas Policisë së Shtetit, persona të maskuar sulmuan godinën me molotovë, gurë dhe mjete piroteknike. Si pasojë, 10 efektivë mbetën të plagosur, sipas deklaratës së bluve.
Gjatë protestës u raportuan gjithashtu flakë në godinën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe hedhje molotovësh në drejtim të selisë së Partisë Socialiste dhe Parlamentit.
Tensione pati edhe pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u përdor gaz lotsjellës. Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi policinë se kishte hedhur gaz në ambientet e selisë, ndërsa Policia e Shtetit deklaroi se efektivët reaguan pasi u sulmuan me molotovë nga persona të maskuar që më pas u futën në ambientet e jashtme të godinës.
Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim kombëtar në mbështetje të protestës studentore në Tiranë, duke kërkuar që demokratët dhe qytetarët t’i bashkohen sot revoltës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në orën 21:00, në Spitalin Universitar të Traumës kishin marrë ndihmë mjekësore 23 persona: 17 efektivë policie, një protestues i mitur, një përfaqësuese e medias dhe katër kalimtarë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ishin paraqitur edhe pesë persona të tjerë, dy efektivë policie dhe tre protestues.