Tragjedi në Egje: gjashtë emigrantë humbin jetën pranë Mitilinit, mes tyre një grua dhe një foshnjë

Gjashtë emigrantë kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit në detin Egje, rreth 3.5 milje në juglindje të ishullit grek të Mitilinit.

Të lidhura

None found

Sipas informacionit të dhënë nga roja bregdetare greke, në mesin e viktimave ndodhen një grua dhe një foshnjë disa muajshe.

Ngjarja ndodhi gjatë ndjekjes së një skafi me emigrantë, i cili kishte hyrë në ujërat greke pa sinjalistikë. Autoritetet thanë se drejtuesi i mjetit, një shtetas turk 37 vjeç, nuk iu bind urdhrave për të ndaluar, pavarësisht sinjaleve të përsëritura nga roja bregdetare.

Për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, skafi me emigrantë u përplas me mjetin e rojës bregdetare. Si pasojë, gjashtë persona u nxorën pa shenja jete, ndërsa tetë të tjerë, mes tyre edhe trafikanti 37-vjeçar, arritën të shpëtoheshin.

Të mbijetuarit u transportuan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, operacionet e kërkimit vijojnë në zonë, pasi dyshohet se në ujërat e ftohta të Egjeut mund të ketë persona të tjerë të zhdukur.

Prokuroria e Mitilinit ka urdhëruar nisjen e një hetimi urgjent për incidentin. Paralelisht, roja bregdetare greke ka hapur një hetim të brendshëm për tejkalim kompetencash nga drejtuesi i barkës së saj.

Në operacion janë angazhuar edhe ekipe të Frontex, ndërsa Egjeu lindor vijon të jetë një nga pikat më të nxehta të hyrjes së emigrantëve të paligjshëm drejt Bashkimit Europian.


Shtuar më 19.10.2026 08:28

Quantcast