Juventusi në krizë të thellë, skuadra pa yje dhe pa ide: Spalletti në rrezik

Juventusi në krizë të thellë, skuadra pa yje dhe pa ide: Spalletti në rrezik

08:20, 19/10/2026

Juventusi po përjeton një nga momentet më të vështira të sezonit, me rezultatet dhe paraqitjet në fushë që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për projektin bardhezi. Humbja e rëndë 0-3 ndaj Lazios ka nxjerrë edhe një herë në pah problemet e skuadrës së Luciano Spallettit, e cila duket pa identitet, pa ide loje dhe pa futbollistë që mund të bëjnë diferencën.

Pas shtatë javëve të para të kampionatit, Juventusi renditet në vendin e tetë, tetë pikë larg kreut, ndërsa ndodhet dy pikë poshtë Frosinones dhe Cagliarit, që ka edhe një ndeshje më pak. Një situatë shqetësuese për një klub që synon të rikthehet në majën e futbollit italian.

Statistikat e bëjnë edhe më të vështirë situatën e Spallettit. Në këtë pikë të sezonit, Juventusi ka grumbulluar më pak pikë sesa skuadra e drejtuar nga Igor Tudor në të njëjtën periudhë të edicionit të kaluar. Edhe Thiago Motta kishte bërë më mirë pas shtatë javësh, duke regjistruar 13 pikë, dy më shumë se bardhezinjtë aktualë.

Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi trajnerin dhe futbollistët, por edhe mbi drejtuesit që ndërtuan këtë skuadër. Juventusi ka grumbulluar disa lojtarë ofensivë në krahë, si Conceicao, Alajbegovic, Zhegrova dhe Nico Gonzalez, por i mungon një qendërsulmues i nivelit të lartë dhe një organizator që të drejtojë lojën.

Problemi bëhet edhe më i dukshëm kur skuadra krahasohet me Interin, rivalin historik që, pavarësisht vështirësive në Champions League, vazhdon të jetë dominuese në kampionat. Sipas analizës së “SportMediaset”, aktualisht është e vështirë të identifikohet qoftë edhe një lojtar i Juventusit që do të mund të siguronte një vend titullari tek zikaltrit.

Mungesa e Kenan Yildizit nuk mund të shërbejë si justifikim i mjaftueshëm për paraqitjen zhgënjyese ndaj Lazios. Problemet e Juventusit janë më të thella dhe lidhen me cilësinë individuale, organizimin dhe mungesën e një ideje të qartë loje.

Spalletti mund të fitojë kohë përmes ndeshjes së ardhshme në Europa League, ku Juventusi do të presë Rennes, të enjten, në Torino. Megjithatë, më pas e presin dy transferta të vështira në kampionat, ndaj Lecces dhe Genoas.

Për bardhezinjtë, fundi i tetorit mund të jetë vendimtar. Nëse rezultatet nuk përmirësohen, objektivat sezonalë rrezikojnë të largohen gjithnjë e më shumë, ndërsa e ardhmja e Spallettit në stol do të vihet nën presion edhe më të madh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco