“Përzierje e të thatit me të njomin…”, Rama: Nuk e pranoj këtë zgjidhje politike
Kryeministri Edi Rama deklaron se është i gatshëm për dialog në çdo kohë dhe në çdo vend, me përjashtim të forcave politike që, sipas tij, qëndrojnë pas dhunës dhe nuk distancohen prej saj. Rama theksoi se nuk do të pranojë zgjidhje politike që synojnë ndryshime të lidershipit apo të drejtimit politik të vendit në emër të qetësisë dhe paqes.
Kreu i qeverisë u shpreh se mandati i tij bazohet në një kontratë me qytetarët, e cila përfundon në vitin 2029, ndërsa nënvizoi se objektivi i integrimit europian të Shqipërisë mbetet i pandryshuar.
“Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna, përveç atyre që gjuajnë me gurë policisë, përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic. Te kushdo tjetër jam i gatshëm të shkoj dhe të dëgjoj se ku gjendet kjo zgjidhja.
Por zgjidhjen politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të të njomit me të thatin, në demek në emër të qetësisë, paqes, dashurisë, nuk ka. Nuk ka jo se s’dua unë. Unë nuk e kam personal pushtetin. Për mua zyra e kryeministrit nuk është vend pune. Është mision që ma kanë ngarkuar mbi 800 mijë shqiptarë në bazë të një kontrate që mbaron në 2029.
Deri tani nuk i kam lëvizur asaj kontrate. Deri tani nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në Bruksel. Aty ku do të shpëtojë Shqipëria një herë e mirë nga ajo dorë që e përndjek që nga 1912”, deklaroi Rama.




