Protestat masive kundër qeverisë në Shqipëri kanë marrë vëmendjen e prestigjiozes franceze “Le Figaro”, e cila e cilëson kryeministrin Edi Rama si shënjestrën kryesore të zemërimit qytetar.
Në artikull, media franceze pasqyron përshkallëzimin e protestave në Tiranë, thirrjet për largimin e Ramës nga pushteti dhe përplasjet e ashpra mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
“Koha jote po mbaron”, është një nga thirrjet e protestuesve të cituara nga “Le Figaro”, ndërsa qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit.
Sipas medias franceze, Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht protestave që kanë përfshirë kryeqytetin dhe pakënaqësisë së shprehur nga qytetarët.
Në fokus të raportimit janë përplasjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ku për orë të tëra protestuesit dhe forcat e rendit janë përballur me njëri-tjetrin. Në protestë kanë marrë pjesë edhe shumë studentë universitetesh dhe nxënës të shkollave të mesme, përfshirë të rinj në moshë të vogël.
Përplasjet me policinë dhe bilanci i protestave
“Le Figaro” ndalet edhe te përshkallëzimi i situatës në rrugët e Tiranës. Sipas artikullit, policia kundër trazirave iu përgjigj hedhjes së gurëve, fishekzjarrëve dhe koktejeve Molotov me ujëhedhës dhe gaz lotsjellës.
Sipas shifrave të cituara nga media franceze, që nga fillimi i protestave janë arrestuar 167 persona, ndërsa 388 të tjerë përballen me akuza penale. Po ashtu, raportohen 132 punonjës policie të plagosur dhe shtatë efektivë të pezulluar për përdorim të tepruar të forcës.
Përtej përplasjeve në rrugë, artikulli pasqyron edhe pakënaqësinë e të rinjve ndaj kryeministrit dhe viteve të tij në pushtet. Një protestues 25-vjeçar, i cituar nga “Le Figaro”, shprehet se gjatë gjithë jetës së tij ka njohur vetëm Edi Ramën, fillimisht si kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe më pas si kryeministër, detyrë që e mban që prej vitit 2013.
“Jam 25 vjeç. Gjithë jetën time e kam njohur vetëm Edi Ramën: si kryetar bashkie të Tiranës ose si kryeministër që nga viti 2013. Atë dhe punët e tij të errëta”, citohet të ketë deklaruar protestuesi.












