Kryeministri Rama duke folur për protestat e dhunshme tha se ata mësues që nxisin nxënësit të dëmtojnë institucionet nuk kanë për ta parë me sy derën e shkollës.
“Po këto të gjitha nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve, evazioni fiskal me miliona e miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit, me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tam të përditshëm, të përditshëm e të përditshëm, duke i rënë kokës të gjithë dynjasë për t’u thënë se çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje, që po ju vjedhin gjithçka çdo ditë.
Mësues, mësues që marrin nxënësit, i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: ‘Bini xhamave të shkollës’, siç ndodhi në Lezhë.
Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet.
Si mundet një mësues t’i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?”, tha Rama.
