Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të policisë, së bashku me kryeministrin Edi Rama. Duke u ndalur tek protesta e djeshme, Demo ka dënuar aktet e dhunës dhe ka theksuar se ato nuk mund të konsiderohen më pjesë e një proteste paqësore.
Për sulmin e protestuesve ndaj Komisariatit nr. 3, Demo tha se nuk është dëmtuar vetëm godina por janë dëmtuar edhe efektivë të Policisë së Shtetit. Për të mbrojtur godinën ministri tha se disa nga efektivët kanë pësuar djegie në trup. Duke bërë një bilanc për të lënduarit në këto 6 ditë protesta, Demo thotë se nga 295 të lënduar, 186 prej tyre janë policë.
Ministri u ndal gjithashtu tek grupi i protestuesish që u fshehën në selinë e PD-së për t’i shpëtuar kapjes nga policia, pas kaosit të shkaktuar në kryeqytet.
"Ne kemi pasur sulme ndaj subjekteve të caktuara politike, ndërkohë kemi parë po ashtu që elementë të dhunshëm të asaj proteste, kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar. Kjo tregon më së miri dhe motivimin e elementëve të dhunës që janë brenda kësaj lëvizje", tha Demo.
Fjala e Ervin Demos
Në fakt ky është një takim me zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit dhe patjetër gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë së Policisë në Tiranë.
Ky takim vjen si rrjedhojë duke marrë në konsideratë edhe atë çfarë të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë gjatë ditëve të fundit, dhe duke referuar vetëm natës së fundit, ka ndodhur diçka që, me thënë të drejtën, ka kaluar vijën e kuqe.
Dje Komisariati nr. 3 është sulmuar nga protestues, jo thjesht komisariati si godinë, por edhe punonjës të Policisë së Shtetit që kanë qenë aty në perimetrin e komisariatit dhe brenda tij, janë dëmtuar deri me djegie, të trupit të tyre duke e mbrojtur godinën e Policisë së Shtetit.
Kjo është jo vetëm e papranueshme, por tregon fakt që elementët e dhunës të cilët janë përfshirë në këtë protestë, kanë arritur në nivele të cilat qartësi e tregojnë që kjo nuk është më as protestë studentore, në fakt, nuk mund të quhet më as protestë.
Ajo çfarë normalisht ka ndodhur po ashtu gjatë ditës së djeshme, ne kemi pasur sulme ndaj subjekteve të caktuara politike, ndërkohë kemi parë po ashtu që elementë të dhunshëm të asaj proteste, kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar. Kjo tregon më së miri dhe motivimin e elementëve të dhunës që janë brenda kësaj lëvizje.
Në fakt, unë do të përmendja një shifër e cila bën të gjithëve të ndihemi jo mirë: janë 295 të lënduar në këto 6 ditët e fundit. Unë nuk po i ndaj në fillim as trupat e Policisë, as protestuesit. Ata janë 295 shqiptarë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë pësuar dëmtime, dhe në disa raste jo të lehta. Kanë qenë forcat e Policisë, kanë qenë protestues aktivë, kanë qenë kalimtarë, kanë qenë gazetarë. Janë 295. Numri më pas tregon më së miri atë çfarë ka bërë Policia e Shtetit me profesionalizëm dhe me vetëpërmbajtje. Sepse nga këta 295 të dëmtuar, 186 janë punonjës policie.
Ky raport, 2 në 3 afërsisht, tregon më së miri vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin tuaj, i cili ka qenë në fokus gjatë gjithë kohës, për sa i përket asaj e cila është dhe objektivi më i rëndësishëm për të ruajtur jetën e qytetarëve.
Ju jeni ata të cilët duhet të keni mbështetjen maksimale sepse jeni trupa që garantoni protestat paqësore. E në asnjë rast, gjatë gjithë komunikimeve që ne kemi pasur me gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, nuk është vënë asnjëherë në dyshim roli dhe pozicioni i Policisë së Shtetit për të garantuar protestat paqësor, për të garantuar të drejtat kushtetuese që çdo qytetar ka.
Por është e papranueshme që ne të kemi në rrugët e Tiranës, tashmë prej ditësh, elementë të dhunshëm, të cilët nuk kanë tashmë asnjë kufizim për sa i përket objektivave, që ata vendosin për të bërë dëm, duke filluar që nga bizneset private, që nga institucionet publike, dhe deri te partitë politike.
Kjo e tregon më së miri një thirrje ulëritëse, që ndryshe nga vendet të cilat po kalojnë protestat të ngjashme, dhe unë kam qenë në kontakt me homologë të mitë, me kolegë të mitë, gjatë këtyre ditëve, ku e vetmja ndryshim që kanë me vendin tonë është një: atje shoqëria qytetarët partitë politike qartazi janë pozicionuar kundër dhunës. Jo kundër të drejtës për të protestuar, por kundër dhunës.
Fatkeqësisht ajo çfarë mua më bën të ndihem shumë keq për të gjithë punonjësit e Policisë, të cilët kanë duruar dhunë barbare gjatë këtyre ditëve, është që ne sot pas 6 ditësh nuk kemi që forcat politike apo qoftë edhe shoqëria civile të dalin dhe të mbajnë qëndrim për sa i përket dhunës që ndodh në kryeqytet.
Ky është një ndryshim që kam midis këtyre vendeve sot.
Prandaj, dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhuna nuk është mjet negocimi, qeveria shqiptare, Kryeministri e ka bërë të qartë që me këdo dhe kurdo, ne, qeveria është e gatshme që të flasë, por ajo çfarë ne duhet të ndajmë pike së pari dhe këtu nuk do të mund të ketë asnjë lloj vije, ku mund të ketë pozicione të ndryshme, dhuna nuk mund të pranohet nga askush. Dhuna nuk mund të jetë si një mjet negocimi.
Unë do të doja t'ju falënderoja të gjithëve për sakrificën tuaj. E di shumë mirë se sa e vështirë ka qenë. Kam qenë me ju gjatë gjithë kësaj kohe. I kemi ndjekur gjërat nga afër, kemi qenë bashkë me Drejtorin, me përgjegjësin e Policisë, çdo ditë pothuajse, çdo natë kemi qenë në spital, pavarësisht se edhe nuk i bëjmë publike.
Sepse unë mendoj që ajo çfarë është e rëndësishme në këto momente është që ne duhet të jemi pranë jush, ju nuk jeni vetëm, do të keni mbështetjen tonë maksimale, dhe e keni sepse këtu jemi për të mbrojtur atë çfarë është më e shenjtë, që është demokracia shqiptare.
lajm ne perditesim...











Komente
Komento