TIRANË -Pas disa orësh përpara shkallëve të Kryeministrisë, një grup protestuesish kanë nisur marshimin në qytet duke shkaktuar incidente të vogla me lëndë piroteknike, ndërsa të tjerë ndodhen te bulevardi. Te Ministria e Brendshme, pati disa përplasje me policinë, e cila iu vu menjëherë nga pas duke hedhur gaz lotsjellës. Në "Rrugën e Durrësit", protestuesit kanë hedhur një breshëri fishekzjarrësh e molotovësh, ndërsa nuk reshtin sulmet me gurë. Në rrugë ka edhe bllokada me kosha mbeturinash, të cilëve u është vënë flaka

Në ditën e shtatë të protestave, strategjia e policisë konsiston në ndërhyrje të menjëhershme me gaz lotsjellës e ujë dhe ndjekje këmba-këmbës të protestuesve të maskuar, duke mos i lejuar të rigrumbullohen për të vijuar sulmet. Ndryshe nga ditët e mëparshme, forcat e shtuara të policisë i ndoqën në çdo rrugë ku u zhvendosën, duke shpërndarë brenda rreth dy orësh grupin e të maskuarve.

Por dhuna nuk mungoi. Protestuesit sulmuan me gurë e kapsolla efektivët dhe mësynë Gjykatën e Apelit, ku thyen xhamat, shembën derën dhe hynë brenda godinës. Për sulmin ndaj gjykatës, 5 protestues u arrestuan, mes tyre një i mitur, dhe 15 të tjerë u shpallën në kërkim. 

Dita nisi me kontrolle policore në sheshin “Skënderbej”, ku efektivët kontrolluan çantat e të rinjve për sende të paligjshme. Rreth orës 11:30, protestuesit nisën të grumbulloheshin para Ministrisë së Arsimit, ku, njësoj si një ditë më parë, pati këngë e valle. Të rinj shkulnin pllakat e trotuarit për t'i përdorur kundër policisë, të tjerë u ofronin sanduiçë efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit.

Tensionet e para nisën rreth orës 13:00, kur protestuesit sulmuan policinë me gurë dhe kapsolla, ndërsa efektivët u përgjigjën me gaz lotsjellës për t'i shpërndarë. Përplasjet vijuan edhe pranë zonës së njohur si “Kafe Flora”, ku policia ndërhyri me ujë, pasi paralajmëroi protestuesit të largoheshin. Përmes megafonit, efektivët u bënë thirrje të vazhdueshme grave dhe fëmijëve të largoheshin nga rruga, duke paralajmëruar përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit.

Këtë herë, policia nuk i lejoi protestuesit të rigrumbulloheshin, duke i ndjekur në çdo rrugë ku zhvendoseshin. Të ndjekur këmba-këmbës nga efektivët, protestuesit iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Rreth orës 14:00, dhuna u përshkallëzua me sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë. Një grup protestuesish të maskuar sulmuan godinën me gurë, thyen xhamat, shembën derën dhe hynë brenda, duke shkaktuar dëme edhe në ambientet e brendshme. Në momentin e sulmit, në gjykatë kishte punonjës, disa prej të cilëve u larguan nga godina. Policia ndërhyri dhe iu vu pas protestuesve, të cilët u shpërndanë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Për gati një orë, grupi i të maskuarve pothuajse u zhduk nga rrugët. Rreth orës 15:00, disa protestues nisën sërish të shkulnin pllakat e trotuarit, por edhe grumbullimet më të vogla u përballën me ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Forcat e rendit përdorën ujë për t'i shpërndarë, ndërsa automjetet e policisë patrullonin vazhdimisht bulevardin me sirena të ndezura.

Rreth orës 16:00, një grup i vogël protestuesish u lejua të afrohej te shkallët e Kryeministrisë, ku hodhën në mënyrë simbolike para, duke ironizuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama për shpërblimin prej 2500 eurosh për efektivët e policisë.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:48
Vijon marshimi, protestuesit u vënë flakën koshave

Gjatë marshimit të tyre në “Rrugën e Dibrës”, protestuesit po djegin disa kosha të tjerë mbeturinash.

Ora 18:48
Protesta e dhunshme në Tiranë, i moshuari në Rrugën e Barrikadave humb ndjenjat! Disa persona i vijnë në ndihmë (VIDEO)

 

Një i moshuar ka rënë pa ndjenja gjatë protestës së sotme, në Rrugën e Barrikadave në Tiranë.

Nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar në humbjen e ndjenjave të të moshuarit. Gjatë minutave të fundit janë shënuar përplasje të forta mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.

Protestuesit kanë sulmuar me gurë, fishekzjarrë dhe molotovë drejt efektivëve, ndërkohë që këta të fundit u janë kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.

Ora 18:40
Kaos te 9-Katëshet në Tiranë, turma protestuesish me maska drejt bulevardit! Kapsolla dhe tym në rrugë (VIDEO)

 

Situatë kaosi dhe frike në kryqëzimin e 9 Katsheve ku turma të mëdha protestuesish janë drejtuar për në bulevard duke lëshuar kapsolla rrugës.  Siç duket edhe nga pamjet ata po lëvizin në grup, janë të veshur me rroba të zeza me kapuçë të zinj e me maska dhe të armatosur me kapsolla e gurë. 

Kryqëzimi është i mbuluar me tym dhe shpërthime të herë pas hershme dëgjohen në sfond. 

 

Ora 18:31
‘Skenë lufte’ në Tiranë, protestuesit e dhunshëm zbrazin breshëri fishekzjarrësh dhe molotovësh në drejtim të efektivëve të Policisë pranë Sheshit Skënderbej (VIDEO)

 

Protestuesit e dhunshëm kanë nisur sulmin me breshëri fishekzjarrësh në drejtim të efektivëve të Policisë.

Ata janë pozicionuar pranë Sheshit Skënderbej, ku zona është kthyer në një ‘skenë lufte’.

Nga ana tjetër, efektivët e Policisë, të ndodhur në një pozitë të vështirë u janë përgjigjur protestuesve duke hedhur ujë drejt tyre.

Ora 18:25
Protesta e dhunshme në Tiranë/ Të armatosur ‘deri në dhëmbë’, forcat speciale RENEA zbarkojnë pranë Kryeministrisë

1792427272_renea.JPG

Forcat Speciale RENEA kanë zbarkuar në zonën pranë Kryeministrisë, drejt së cilës po marshojnë një grup i dhunshëm protestuesish, të cilët kanë nisur sulmet me gurë e fishekzjarrë drejt efektivëve të Policisë.

Ndërkohë pranë Ministrisë së Brendshme, ku janë kryer disa sulme nga ana e protestuesve, janë pozicionuar gjithashtu 2 autobotë uji, disa automjete policie dhe efektivë të shumtë, që po kujdesen për mbarëvajtjen e situatës.

Ora 18:24
Protestuesi ‘sfidon’ gazin lotsjellës, rri pa maskë para efektivëve! Një tjetër i lan fytyrën me ujë fiziologjik (VIDEO)

 

Një protestues ka zgjedhur të rrijë pa maskë ndërsa zona rreth Ministrisë së Brendshme është mbuluar nga gazi lotsjellës. Pranë i afrohet një tjetër, me maskë kundërgaz dhe me ujë fiziologjik në dorë që ia hedh te sytë për ta lehtësuar.

Pas kësaj, protestuesi vendoset sërish para efektivëve.

Ora 18:21
Tensione te Ministria e Brendshme, protestuesit u drejtojnë lazerë policëve për t’i hutuar (VIDEO)

 

Protestuesit ndodhen në dy anët e rrugës te Ministria e Brendshme duke sulmuar policinë, si dhe po përdorin lazer me qëllimin për t’i shpërqendruar efektivët. Përdorimin e lazerit e kishin lajmëruar edhe nëpër rrjete sociale, si mjet për të hutuar policët.

Ora 18:13
Protestuesit largohen nga bulevardi, nisin marshimin! Vënë zjarre në rrugë dhe hedhin fishekzjarre (VIDEO)

 

Protestuesit i janë drejtuar bllokut të ministrive duke lënë pas bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Ata po vendosin zjarre në rrugë dhe po hedhin fishekzjarrë.

Policia po tenton t’i shpërndajë duke ndërhyrë menjëherë me gaz lotsjellës.

Ora 18:11
Deputeti demokrat Saimir Korreshi i bashkohet protestës në Tiranë (VIDEO)

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është filmuar mes protestuesve ditën e sotme, në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket momenti kur Korreshi po marshon bashkë me turmën në drejtim të Kryeministrisë.

Kujtojmë se Korreshi ka marrë pjesë gjatë këtyre ditëve edhe në protestat e tjera që janë zhvilluar dhe nuk është përzënë nga protestuesit, siç ka ndodhur me deputetë të tjerë të PD-së.

Ora 17:07
Protestuesi i maskuar u dërgon puthje policëve, përshëndetet me grusht me efektivin (VIDEO)

 

Protestuesi i maskuar që ‘flet’ vetëm me gjeste, tashmë i është afruar kordonit të policisë te kryeministria duke u bërë shenja me puthje e zemra. Më pas, drejton grushtin në shenjë përshëndetjeje dhe i afrohet një efektivi duke e takuar, e më pas i dërgon puthje.

Ora 16:53
Sulmi te Gjykata e Apelit, në pranga 5 protestues, mes tyre edhe një i mitur! 15 në kërkim (EMRAT)

5 protestues janë vënë në pranga për sulmet ndaj Gjykatës së Apelit, ndërsa 15 të tjerë janë në kërkim. 5 të arrestuarit, Ardit Plaku, Sebastian Rizvani, Lefter Deda, Pashk Paluca, janë të moshave 20-37 vjeç. Në pranga edhe një i mitur 16 vjeç.

Policia i ka sekuestruar të miturit edhe disa lëndë piroteknike. Gjatë sulmit, protestuesit thyen e shkatërruan xhamat, si dhe shkaktuan disa dëme brenda ambienteve të gjykatës. 

Njoftimi i policisë:

Dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e godinës së Gjykatës së Apelit, vihen në pranga 5 shtetas, shpallen në kërkim 15 të tjerë.

Sekuestrohet një sasi lëndësh piroteknike. 

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera përgjatë tubimit të sotëm, te Gjykata e Apelit, u identifikuan 20 shtetas që dëmtuan me sende të forta, dyert dhe dritaret e këtij institucioni.

Në vijim, u arrestuan 5 prej tyre, konkretisht shtetasit: A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç.

16-vjeçarit, gjatë kontrollit, iu gjetën lëndë piroteknike.

Gjithashtu, u shpallën kërkim 15 shtetas të tjerë. Punohet për kapjen e tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Ora 16:28
Zemra e puthje nga sheshi para kryeministrisë, protestuesi i maskuar dërgon mesazhe ‘paqeje’ (VIDEO)

 

Një protestues i maskuar, i cili ka fituar famë në rrjetet sociale për shkak të gjesteve të tij me duar duke mos thënë asnjë fjalë, ka bërë një tjetër komunikim përmes ‘gjuhës’ së tij të veçantë.

Protestuesi, i cili përdor edhe maska me shkrime e syze për ski, bën formën e zemrës me duar dhe dërgon puthje. Në dorë mban edhe një shkop.

Ora 16:23
‘Nuk isha në protestë o vëlla, s’kam bërë gjë’, protestuesi lutet policit që ta lerë të lirë (VIDEO)

Një efektiv i Forcave Operacionale i është përgjigjur me shkop gome një protestuesi, i cili mes ulërimash pretendonte se nuk ka lidhje me sulmet e protestuesve. I riu, të cilin efektivi nuk e lëshonte nga duart, ishte pa maskë.

Djali: S’kam bërë gjë! Nuk isha o vëlla! Nuk isha në protestë unë!

Një vajzë duke filmuar: Mos, mos, mos! Lëre, çfarë po i bën? Pse e dhunon? Arrestoje, s’ke të drejtë ta dhunosh!

Djali: Më lër mo burrë!

Ora 16:03
Pamje me dron/ Zvogëlohet numri i protestuesve në sheshin para kryeministrisë (VIDEO)

 

Një grup i vogël protestuesish kanë mbetur në sheshin para kryeministrisë. Pamjet me dron tregojnë disa protestues të shpërndarë nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Protestuesve u janë bashkuar edhe Arlind Qori e Agron Shehaj.

Vihet re se ka mungesë të protestuesve të maskuar, ndërsa deri tani ka pasur shoqërime të herëpashershme nga policia.

Ora 15:19
Sulmi te Blloku i Ministrive, një efektiv policie lëndohet nga sulmi me gurë (VIDEO)

 

Një efektiv policie ka mbetur i lënduar nga sulmi me gurë te Blloku i Ministrive. Mësohet se efektivi ka pësuar lëndim në kokë.

Ora 15:13
Protestuesit sulme te blloku i ministrive, policia nis me shoqërimet (VIDEO)

 

Policia ka nisur shoqërimet e protestuesve, të cilët kishin nisur me sulmet te Blloku i Ministrive.

Ora 15:13
Protestuesit rrethojnë policët, i riu u shpëton nga duart dhe ia mbath me vrap! Tentojnë të pengojnë shoqërimet (VIDEO)

 

Një i ri u ka shpëtuar nga duart efektivëve të policisë te Blloku i Ministrive, teksa po shoqërohej pas sulmeve të protestuesve. Ndërsa policët po përpiqeshin ta shoqëronin, protestues të tjerë i kanë rrethuar për të penguar ndërhyrjen. Në këtë moment, i riu ka arritur të shkëputet nga efektivët dhe ia ka mbathur me vrap.

“Kam qenë me duart lart”, dëgjohet të thotë një tjetër protestues gjatë shoqërimit nga policia. Në ato moment, te turma mbërriti edhe deputeti i PD, Saimir Korreshi. 

Ora 14:54
Protestuesit bëhen sërish gati për sulm, heqin pllakat e trotuarit te parku 'Rinia' (VIDEO)

 

Pas heqjes së pllakave të gurit te Ministria e Arsimit, protestuesit janë zhvedosur te parku 'Rinia'.

Nga pamjet që Report Tv solli live, shihet se protestuesit kanë nisur sërish të furnizohen me gurë për sulme të tjera ndaj policisë.

Ora 14:32
Protesta e dhunshme në Tiranë, plagoset një gazetar grek në Rrugën e Durrësit! Dyshohet se u godit nga gurët e lëshuar drejt policisë

Një gazetar grek është plagosur gjatë përplasjeve të sotme mes protestuesve dhe policisë në Rrugën e Durrësit. Dyshohet që gazetari të jetë goditur nga një prej gurëve të lëshuar në drejtim të policisë.

Ai është marrë nga shërbimi i urgjencës, dhe është dërguar të Trauma. Sipas burimeve nga spitali, gazetari ka dëmtime në vesh, por është koshient dhe komunikon.

Ora 14:15
Shkatërrim e xhama të thyer, pamjet nga brenda Gjykatës së Apelit pas sulmit nga të rinjtë e maskuar! Punonjësit ishin brenda ambienteve (VIDEO)

Shkatërrim dhe xhama të thyer në ambientet e Gjykatës së Apelit, pas sulmit nga protestuesit e maskuar. Pamjet nga brenda godinës tregojnë dëmet e shkaktuara, pasi një grup të rinjsh me maska sulmuan ambientet e gjykatës, brenda së cilës ishin edhe punonjës. 

Ora 14:01
Protestuesit sulm Gjykatës së Apelit, thyejnë e shkatërrojnë xhamat! Një pjesë futen brenda (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar edhe godinën e Gjykatës së Apelit, duke thyer dhe shkatërruar xhamat, ndërsa një pjesë e tyre kanë arritur të futen brenda ambienteve të gjykatës.

Ora 13:59
Pasi tentoi të pengonte policinë, protestuesja del para ujëhedhëses’ (VIDEO)

 

Protesta në Tiranë është në ditën e 7-të të saj. Pasi tentoi të pengonte policinë të shkonin drejt protestuesve të tjerë, vajza nuk është ndalur me kaq.

Këtë herë ajo ka dalë para makinës që hedh ujë për shpërndarjen e proptestuesve.

Ora 13:42
Policia ndjek ‘këmba-këmbës’ protestuesit, përplasjet zhvendosen në bulevard

Policia ka ndjekur ‘këmba-këmbës’ protestuesit, të cilët janë zhvendosur drejt bulevardit, ku kanë vijuar përplasjet me efektivët.

Ora 13:38
Protestuesja del para kordonit të policisë për t'i penguar të shkojnë drejt protestuesve të tjerë (VIDEO)

 

Në mesin e tensioneve në qendër të Tiranës, një protestuese ka tentuar të pengojnë policinë që të shkojnë drejt protestuesve.

Uniformat blu kanë vijuar rrugën, pavarësisht provokimeve të vajzës.

Ora 13:37
Vlorë/ Protestuesit hyjnë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, policia ndërhyn brenda institucionit arsimor! Shoqërohen 6 persona (VIDEO)

Policia e Shtetit u fut për herë në parë në universitet, me argumentin se po garanton procesin akademik. Kjo skenë u xhirua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nw Universitetin e Vlorës.

Ndërhyrja policore erdhi me kërkesë të administratorit Grigor Dede, pasi një grup protestuesisht u bënë thirrje studenteve për bojkot.

6 protestues u shoqëruan në komisariat, ndërsa rektorja Aurela Saliaj u distancua duke deklaruar se nuk ka kërkuar ndërhyrje policore.

Në sqarimin zyrtar, policia jep këtë version të ngjarjes:

"Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të Policisë në ambientet e brendshme të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, sqarojmë se:

Rreth orës 11:51, administratori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ka njoftuar Sallën Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor dhe studentët të ndiqnin leksionet në auditore.

Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 6 shtetas, të dyshuar si organizatorë të këtij grupimi.

Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit"

Ora 13:33
Pas sulmit të protestuesve, policia merr masa, kordon sigurie te selia e PS (VIDEO)

Policia kishte marrë masa për të shmangur një tjetër sulm ndaj selisë së PS, së cilës një ditë më parë protestuesit i thyen derën kryesore. Në momentin që protestuesit nisën marshimin, policia krijoi kordon sigurie te selia e PS.

Ora 13:26
Pas sulmeve me gurë, policia shpërndan protestuesit me ujë me presion te 'rruga e Durrësit'! Thirrje qytetarëve: Largoni fëmijët (VIDEO)

 

Pas sulmeve me gurë policia ka shpërndarë protestuesit me ujë me presion te 'rruga e Durrësit'.

Policia ka bërë thirrje që gratë dhe fëmijët të largohen, pasi do të hedhin gaz lotsjellës.

Ora 13:03
Protestuesit rinisin ‘ritualin’ e sulmeve me gurë e fishekzjarrë ndaj efektivëve, policia përgjigjet me gaz lotsjellës   

Protestuesit kanë rinisur sulmet me gurë e fishekzjarrë ndaj efektivëve të policisë para Ministrisë së Arsimit, ndërsa ato janë përgjigjur me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Ora 12:41
Para se të nisin sulmet me gurë, të mitur me maska u ofrojë sanduiçë policëve (VIDEO)

 

Para se të nisnin sulmet me gurë ndaj policisë, një protestues i maskuar u ka ofruar sanduiçë efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit. Nga pamjet, protestuesi që u afrohet policëve duket qartazi se është i mitur.

Ora 12:40
Nis aksioni i protestuesve / Të rinjtë me maska shkulin pllakat para Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar kanë nisur sërish aktet e dhunës para Ministrisë së Arsimit, duke shkulur pllakat e trotuarit, të cilat i përdorin për të sulmuar efektivët e policisë.

Ora 12:03
Protesta, Ministria e Shëndetësisë: 36 persona të lënduar marrin ndihmë mjekësore gjatë së dielës, 14 të tjerë vijojnë të jenë të shtruar! Spahiu: Ti dëgjojmë dhe mbrojmë fëmijët (VIDEO)

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 31 të lënduar: 
21 efektivë, 5 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias (1 shtrim). 

Aktualisht në Spitalin e Traumës janë 2 protestues që po plotësohen me ekzaminime dhe konsulta. Ministria bën me dije se nga data 13 tetor e në vijim, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin mjekim ka arritur në 14 që janë 5 efektivë, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.

Raportohet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 5 të lënduar: 2 efektivë policie dhe 3 protestues.

Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu gjatë vizitës në Spitalin Universitar të Traumës, falënderoi ekipet mjekësore për përkushtimin në trajtimin e të lënduarve.

Ajo u bëri thirrje prindërve dhe profesionistëve që të dëgjojnë shqetësimet e të miturve, ku sipas saj ata kanë nevojë për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen e tyre . 

“U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë”, theksoi ministrja

Spahiu theksoi se shërbimet sociale dhe psikologët janë në dispozicion të të miturve që kanë nevojë për mbështetje si dhe u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t’i shpërndajnë dhe të mbështeten te burimet zyrtare, për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme dhe shtimin e tensioneve.

Ministrja ka bërë me dije gjithashtu se sipas të dhënave të strukturave shëndetësore, gjatë protestave të 13–18 tetorit 2026 janë raportuar 303 persona të dëmtuar: 190 punonjës policie, 87 protestues dhe 26 kalimtarë. 

Ora 11:55
Pas akteve të dhunës mbrëmë, protestuesit e maskuar mblidhen para Ministrisë së Arsimit! Ia marrin valles në mes të rrugës (VIDEO)

 

 Në ditën e shtatë të protestës, protestuesit janë grumbulluar te Ministria e Arsimit.

Pas akteve të dhunës, protestuesit të maskuar si çdo ditë shihen duke kërcyer dhe kënduar.

Ora 11:16
Protestat në Rubik dhe Kurbin, protestuesit pa maska bllokojnë rrugën! Sulmohet Bashkia me gurë dhe molotovë (VIDEO)

Protestuesit kanë marshuar edhe në Rubik dhe Kurbin, të cilët kanë bllokuar rrugën hyrëse pranë urës në Rubik, që lidh qytetin me Rrugën e Kombit.

Situata është përshkallëzuar pranë Bashkisë Kurbin, e cila është sulmuar me gurë dhe molotovë.

Protestuesit janë shfaqur pa maska, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar.

 

Ora 10:21
Vijon protesta në Lezhë dhe Mirditë, dëmtojnë sinjalistikën rrugore dhe djegin goma në rrugë! Gurë dhe molotov në Bashkinë Kurbin! (VIDEO)

 

Një grup protestuesish në Lezhë dhe në Mirditë kanë marshuar në qytet me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta policie.

Gjatë marshimit, protestuesit në Lezhë kanë tentuar të futen në sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku ndodhet edhe Bashkia, por janë penguar nga forcat e Policisë. Disa prej tyre dëmtuan sinjalistikën rrugore, dëmtuan kosha mbeturinash dhe ndezën zjarre në mes të qytetit.

Ndërkohë në Mirditë protesta është zhvendosur në Rrugën e Kombit në Rubik të cilët shihen duke djegur goma në rrugë.