Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke u bërë thirrje institucioneve shqiptare të dëgjojnë dhe të trajtojnë kërkesat e studentëve.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se zhvillimet në Shqipëri ndiqen me shqetësim edhe në Kosovë, për shkak të lidhjes së ngushtë mes dy vendeve.
Kryeparlamentarja e Kosovës theksoi se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë kanë përgjegjësinë të trajtojnë kërkesat e studentëve, ndërsa kundërshtoi përdorimin e dhunës gjatë protestave.
Ajo shtoi se dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët, ndërsa u bëri thirrje institucioneve të mos i shpërfillin kërkesat e studentëve që kanë dalë në protestë.
“Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet, besoj që secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e ka për obligim që t’i trajtojë kërkesat e studentëve, a janë ato që kanë dalë tash, a janë ato të shtresuara që kanë nisur para disa viteve”, ka thënë Haxhiu në një deklarim pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.











