Skënder Hita reagon pas dhunës ndaj policëve nga protestuesit në dyert e Komisariatit

Skënder Hita reagon për sulmin ndaj Komisariatit nr. 3: Dhuna nuk është protestë, policia duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku, sipas tij, mbetën të plagosur 10 punonjës policie. Hita deklaroi se persona të maskuar sulmuan godinën dhe efektivët në shërbim me bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta. Ai tha se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të përfshirë në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave dhe se sulmi rrezikoi edhe personat e shoqëruar që ndodheshin brenda komisariatit.

“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, u shpreh Hita, duke e cilësuar dhunën ndaj punonjësve të policisë të papranueshme dhe të dënueshme me ligj.

Sipas kreut të Policisë, edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, që kanë shkaktuar plagosjen e punonjësve të tjerë. Ai tha se efektivët po përballen prej gjashtë ditësh me akte të përsëritura dhune.

Hita njoftoi se strukturat policore po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë, dokumentimin e veprimeve dhe referimin e provave pranë organeve të drejtësisë. Personat për të cilët provohet përgjegjësia penale, theksoi ai, do të përballen me pasojat ligjore.

Krahas paralajmërimit për autorët e sulmeve, drejtori i Përgjithshëm theksoi se e drejta për protestë paqësore mbetet e garantuar dhe se ndërhyrjet policore duhet të respektojnë ligjin dhe të drejtat e qytetarëve.

Ai deklaroi se ka udhëzuar strukturat të veprojnë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

“Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve”, u shpreh Hita.

Në përfundim, ai u kërkoi protestuesve paqësorë të distancohen nga aktet e dhunshme, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe ka për detyrë të garantojë sigurinë publike.

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

1 mijë pedagogë në mbështetje të studentëve: Rama të dorëhiqet, policia të ndalë dhunën
Lexoni më shumë
Policia dhunon protestuesit në oborrin e Katedrales, Kisha reagon: Respektoni vendet e shenjta
Lexoni më shumë
Bebe Rexha shpërndan me miliona ndjekës pamjet e dhunës policore ndaj të rinjve në Shqipëri
Lexoni më shumë
Karburanti GL te Kanali i Çukës kërkon Punonjës karburanti
Lexoni më shumë
Porti Detar Sarandë kërkon të punësojë Oficer të Sigurisë së Portit
Lexoni më shumë
Epirus Hotel në Sarandë kërkon të punësojë Recepsionist
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.