Edi Rama doli sot të kritikojë News 24 dhe pronarin e saj, duke ngritur akuza për pagesa të padeklaruara ndaj gazetarëve dhe duke pyetur pse Prokuroria nuk nis hetimet. Mbi çfarë provash mbështeten këto akuza? Pagat janë të deklaruara dhe kalojnë përmes bankave. Akuzat nuk mund të zëvendësojnë provat, ndërsa hetimet nuk mund të përdoren si instrument presioni ndaj mediave. Ndaj, prokuroria me te drejtw nuk ka çfare heton.
Por ka një kontradiktë edhe të madhe në këtë histori.
Si ka mundësi që kryeministri i vendit të dijë me kaq hollësi se si funksionon financiarisht një biznes privat mediatik, por të mos ketë ditur çfarë ndodhte në AKSHI? Si nuk dinte për dyshimet dhe skandalet që kanë përfshirë njerëz të administratës së tij? Si nuk dinte për Ergys Agasin, për çështjet që lidhen me zyrtarë të lartë, për drejtuesit që kanë përfunduar nën hetim nga SPAK? Si mund të mos dijë asgjë për ministrat dhe vartësit e tij, të cilët, sipas shprehjes së vet, i hanin kumbulla pas shpine?
A është e besueshme që një kryeministër të ketë njohuri kaq të hollësishme për financat e një televizioni privat, por të jetë i painformuar për atë që ndodh në institucionet që varen nga qeveria e tij?
Një kryeministër nuk mund të kërkojë llogari nga prokuroria kur ajo nuk vepron sipas pritshmërive të tij politike, ndërkohë që për çështje të tjera kërkon të na bindë se nuk ka ditur asgjë. Prokuroria nuk është zyrë që merr urdhra nga Kryeministria. Ajo duhet të hetojë mbi prova dhe në përputhje me ligjin, jo mbi deklarata politike apo dëshirën e pushtetit për të vënë nën presion një media.
Problemi nuk është nëse Rama e pëlqen apo jo News 24, as nëse i pëlqen pronari i saj. Problemi është nëse një kryeministër e konsideron median të lirë vetëm kur ajo e duartroket dhe e sheh si armike kur ajo e kritikon.
Liria e medias nuk matet me marrëdhënien që ka një televizion me kryeministrin, por me të drejtën për ta kritikuar atë pa u kërcënuar, pa u paragjykuar dhe pa u bërë objekt i presionit politik.
Dhe pyetja që mbetet është e thjeshtë, nëse Rama di kaq shumë për një media private, përse nuk na shpjegon me të njëjtën qartësi se çfarë dinte për njerëzit dhe institucionet e pushtetit të tij?
Sepse përgjegjësia e një kryeministri nuk është të kontrollojë çfarë thotë media, por të japë llogari për atë që ndodh nën qeverisjen e tij.






