Kryesore

“Qorra, kokëboshë!”, pse Edi Rama nuk flet për intelektualët dhe profesorët që po i kërkojnë dorëheqjen?

11:25 - 19.10.26 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Qorra, njerëz pa shkollë, brumbuj që brejnë jetën, vijnë nga periferitë, përdoren nga armiqtë e vendit, kanë nevoje për psikolog”.
Këto etiketime lëshoi sot Edi Rama ndaj studentëve protestues, duke treguar jo vetëm mungesë reflektimi, por përbuzje në kufijtë e luftës së klasave.
Por, mirë që nuk dëgjon zeri e të rinjve, por zërin e profesorëve, intelektualëve, artistëve pse nuk e dëgjon?
Edhe ata janë njerëz pa shkollë?

Por zëri i të rinjve nuk është i vetmi që po dëgjohet në këto ditë. Në mbështetje të tyre, përmes reagimeve publike, kanë dalë artistë, intelektualë, pedagogë dhe figura të njohura të shoqërisë shqiptare.

Sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula ka zgjedhur t’u drejtohet drejtpërdrejt intelektualëve, artistëve dhe prindërve, duke iu referuar letrës historike “J’accuse!” të shkrimtarit francez Émile Zola. “Në frymën e kësaj thirrjeje historike, le të mos heshtim!”, shkruan ajo, për ta mbyllur mesazhin me një thirrje të fortë: “Nesër është vonë!”.

Edhe shkrimtarja dhe filozofja Lea Ypi ka reaguar për protestat, duke kritikuar si qeverinë, ashtu edhe opozitën. Ajo shprehet se nuk ndihet e përfaqësuar nga asnjëra palë dhe paralajmëron se “dhuna pa strategji e pa plan për të ardhmen kthehet në vëllavrasje të kotë”. Një qëndrim që, pavarësisht kritikave ndaj dhunës, nuk e mbyll debatin mbi shkaqet e revoltës dhe përgjegjësitë politike.

Pedagogu Klementin Mile ka kritikuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj të rinjve, duke e cilësuar reagimin e efektivëve joprofesional dhe të tepruar. “Është komplet barbare”, është shprehur ai për mënyrën se si u trajtua një protestues i rrëzuar në tokë.

Kanë folur Përparim Kabo, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela.

Ndërkohë, rreth 370 pedagogë kanë firmosur një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Ata kanë shprehur shqetësimin për dhunën ndaj studentëve dhe kanë bërë thirrje që protestuesit të shmangin dëmtimin e bizneseve dhe pronës publike e private. Pra, bëhet fjalë për një qëndrim që kërkon ndryshim politik, por edhe distancim nga aktet e dhunës.

Edhe nga bota e artit dhe ekranit kanë ardhur mesazhe shqetësimi. Moderatorja Alketa Vejsiu dhe këngëtarja Xhensila Myrtezaj kanë përcjellë mesazhin se asnjë post politik nuk vlen më shumë se jeta e një shqiptari. Moderatorja Bora Zemani, nga ana e saj, ka shprehur dhimbjen për urrejtjen dhe përballjen mes shqiptarëve.

Këto reagime nuk nënkuptojnë se të gjithë mbështesin çdo veprim të protestuesve. Përkundrazi, disa dënojnë dhunën, disa kritikojnë reagimin e policisë dhe të tjerë kërkojnë ndryshim politik. Por ato tregojnë se debati nuk kufizohet te gurët, molotovët apo dëmtimi i pronës. Ai përfshin edhe shqetësime për arsimin, të ardhmen e të rinjve, përgjegjësinë e institucioneve dhe mënyrën se si pushteti u përgjigjet kritikëve të vet.

Dhe këtu lind pyetja, kur pedagogë, shkrimtarë, artistë e figura publike ngrenë zërin për atë që po ndodh, a mund të hidhen të gjithë në një thes, të etiketohen si njerëz që nuk kuptojnë, apo të trajtohen si pjesë e një komploti kundër vendit? Apo një shoqëri demokratike duhet të jetë në gjendje të dëgjojë edhe zërat që e vënë pushtetin përballë përgjegjësive të veta?


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Teksti kritikon gjuhën etiketuese të kryeministrit Edi Rama ndaj studentëve protestues dhe ngre pyetjen pse nuk dëgjohen intelektualët. Figura të njohura si Inva Mula, Lea Ypi e artistë të tjerë kanë bërë thirrje për mosheshtje, reflektim dhe distancim nga dhuna. Gjithashtu, rreth 370 pedagogë kanë firmosur një deklaratë ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Reagimet e tyre tregojnë se debati përfshin shqetësime të thella për arsimin, të ardhmen e të rinjve dhe përgjegjësinë e institucioneve. Në fund theksohet se një shoqëri demokratike duhet të dëgjojë zërat kritikë dhe jo t’i etiketojë apo t’i trajtojë si komplot. Inva Mula është pa dyshim një nga korifejtë e artit tonë kombëtar, një ‘Artiste e Merituar’ dhe një ambasadore e jashtëzakonshme e kulturës shqiptare në skenat më të mëdha botërore, zëri i së cilës gëzon gjithmonë respekt të thellë. Po ashtu, figura e pedagogut mbetet shtylla kurrizore e shoqërisë sonë, me një rol të pazëvendësueshëm në edukimin, formimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e mendimit kritik. Megjithatë, përsa i përket drejtimit politik të vendit, zgjidhja nuk mund të vijë përmes kërkesave për dorëheqje apo krijimit të paqëndrueshmërisë. Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, ka treguar lidership të fortë dhe vizionar në përballjen me sfidat e mëdha të Shqipërisë, duke garantuar stabilitetin dhe çuar përpara reforma kyçe. Edhe në këtë moment kompleks, ku tensionet rrezikojnë rendin dhe pronën publike, qëndrueshmëria e institucioneve nën lidershipin e tij është e domosdoshme për të mbrojtur proceset demokratike dhe për të siguruar të ardhmen e vendit.

    Përgjigju ↓