Qytetet më të mira në Europë për të festuar Halloween
Europa rezulton kontinenti më tërheqës për të festuar Halloween në vitin 2026, me pesë qytete mes dhjetë destinacioneve më të mira në botë për festa dhe jetë nate.
Këtë vit, Halloween përkon me të shtunën, më 31 tetor, duke krijuar më shumë mundësi për udhëtime dhe festa gjatë fundjavës.
Sipas një renditjeje të re nga ekspertët e udhëtimeve të Adventure360, që analizuan 113 qytete në mbarë botën, Edinburgu, Dublini, Madridi, Londra dhe Praga janë pesë destinacionet më të mira europiane për këtë festë.
Studimi vlerësoi numrin e aktiviteteve të organizuara mes 30 tetorit dhe 1 nëntorit, ofertën e jetës së natës, restorantet që qëndrojnë hapur deri vonë, sigurinë dhe organizimin e festivaleve tradicionale. Çdo qytet mori një vlerësim maksimal prej 100 pikësh.
Në renditjen botërore kryeson Nju Jorku, me 91.1 pikë, i ndjekur nga Çikago me 80.1 pikë. Megjithatë, Europa dominon për nga numri i qyteteve në dhjetëshen e parë.
Edinburgu, në vendin e tretë në botë me 79.2 pikë, është destinacioni më i mirë europian. Kryeqyteti skocez tërheq vizitorë me festivalin e famshëm Samhuinn Fire, që zhvillohet më 31 tetor.
Kodrina Calton Hill shndërrohet në një skenë spektakolare me zjarr, muzikë, akrobaci dhe kostume tradicionale, duke rikrijuar ritualet e lashta kelte që simbolizojnë fundin e verës dhe ardhjen e dimrit.
Dublini, i katërti në botë me 73 pikë, dallohet për festivalin Bram Stoker, kushtuar autorit të romanit Drakula.
Nga 23 deri më 26 tetor, qyteti organizon parada, shfaqje horror, ture në vende historike dhe aktivitete për familjet, duke vënë në pah trashëgiminë e tij gotike.
Madridi, në vendin e shtatë me 70.7 pikë, ofron aktivitete të shumta, përfshirë MADHORROR, që zhvillohet nga 30 tetori deri më 2 nëntor, me shtëpi të frikshme, filma horror dhe aktivitete argëtuese.
Lagja Malasaña është ndër zonat më të njohura për festat me kostume dhe jetën e natës.
Londra, e teta me 69.6 pikë, ka një nga ofertat më të pasura të argëtimit. Kryeqyteti britanik numëron mbi 1,000 lokale nate dhe 2,600 restorante të hapura deri vonë, si dhe 22 aktivitete tematike. Ndër atraksionet kryesore janë shëtitjet e ndriçuara në Kew Gardens dhe festat në Muzeun e Transportit.
Praga, e dhjeta me 69 pikë, tërheq vizitorët me arkitekturën gotike, rrugicat mesjetare dhe festat në klubet e natës. Më 30 tetor organizohet Wonderland Halloween, ndërsa klubi pesëkatësh Karlovy LáznÄ› pret festën tradicionale Wicked Weekend.
Në 20 destinacionet më të mira të botës përfshihen edhe Roma, Berlini, Amsterdami, Barcelona, Budapesti dhe Lisbona.
Renditja e qyteteve europiane për Halloween 2026
Edinburg, Britani e Madhe – 79.2 pikë
Dublin, Irlandë – 73.0 pikë
Madrid, Spanjë – 70.7 pikë
Londër, Britani e Madhe – 69.6 pikë
Pragë, Çeki – 69.0 pikë
Romë, Itali – 68.6 pikë
Berlin, Gjermani – 67.4 pikë
Amsterdam, Holandë – 66.7 pikë
Barcelonë, Spanjë – 65.6 pikë
Budapest, Hungari – 65.4 pikë
Lisbonë, Portugali – 64.1 pikë
/ Adventure360, Euronews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









