Plumba gome VS fishekzjarre, gjendje ‘lufte’ në Kryeqytet
Tirana është përfshirë nga përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa situata në qendër të kryeqytetit vijon të mbetet e tensionuar. Gazi lotsjellës, fishekzjarrët dhe mjetet ndezëse janë kthyer në pjesë të përballjes, e cila është zhvendosur në disa pika të qytetit.
Gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e turmës, policia ka përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës. Sipas raportimeve nga vendngjarja, efektivët kanë qëlluar gjithashtu me plumba gome në drejtim të protestuesve, ndërsa nga ana tjetër janë hedhur fishekzjarrë si kundërpërgjigje.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit nuk janë larguar plotësisht nga zonat qendrore. Ata kanë lëvizur në drejtime të ndryshme dhe janë rigrumbulluar në pika të tjera, duke bërë që përplasjet të vijojnë edhe pas ndërhyrjeve të policisë.
Flakët përfshijnë hyrjen e Ministrisë së Brendshme
Një nga episodet më të rënda të mbrëmjes është regjistruar pranë Ministrisë së Brendshme, ku dera kryesore e godinës është përfshirë nga flakët pas hedhjes së koktejeve Molotov dhe fishekzjarrëve nga protestuesit.
Zjarri në hyrje të institucionit shënoi një tjetër përshkallëzim të situatës, në një moment kur përplasjet mes demonstruesve dhe policisë po zhvilloheshin në disa zona të Tiranës.
Më herët, në afërsi të ministrisë, efektivët kishin përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe mjete tymuese, ndërsa në vijim u rikthyen disa herë në të njëjtën zonë.
Deri në momentin e raportimit, nuk ka të dhëna të konfirmuara për shkallën e dëmeve të shkaktuara nga zjarri në hyrjen e Ministrisë së Brendshme apo për persona të lënduar si pasojë e këtij incidenti.
Sulm me Molotov edhe ndaj Komisariatit Nr. 3
Përshkallëzimi i mbrëmjes vjen pas një tjetër incidenti në Rrugën “Mine Peza”, ku protestuesit hodhën mjete ndezëse në drejtim të Komisariatit Nr. 3, duke shkaktuar zjarr në katin e parë të godinës.
Ndërkohë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, forcat speciale RENEA janë vendosur sërish pranë Kryeministrisë. Në zonë janë pozicionuar edhe automjete të blinduara, në kuadër të masave të sigurisë për godinën qeveritare.
Lëvizjet e protestuesve dhe ndërhyrjet e policisë kanë bërë që situata të ndryshojë vazhdimisht, me përplasje të përsëritura dhe grumbullime të reja në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e gjashtë, ndërsa zhvillimet e fundit dëshmojnë për një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve. Djegia e hyrjes së Ministrisë së Brendshme dhe zjarri në Komisariatin Nr. 3 janë ndër incidentet më të rënda të regjistruara gjatë protestave, në një mbrëmje kur përballja mes protestuesve dhe forcave të rendit vijon të mbajë Tiranën në gjendje të tensionuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



