Thirrje kreut të SPAK-ut Braho: Hetoni dronin me eksploziv që do godiste Ramën
Ose droni po sulmonte Kryeministrinë ose kryeministri Rama po gënjen!
Kush e ngriti dronin që, sipas Edi Ramës, do të sulmonte me eksploziv selinë e qeverisë?
Duke rrufitur kafenë e mëngjesit, kryeministri Rama njoftoi publikisht sot, me zë dhe figurë, se “është neutralizuar një dron me eksploziv që do të godiste selinë e qeverisë, në pjesën e brendshme”.
Klodian Braho, kjo është një çështje që kërkon hetim të menjëhershëm dhe transparencë të plotë.
Kush e ngriti dronin me eksploziv? A kanë adoleshentët në dispozicion kapacitete të tilla teknologjike dhe ushtarake?
Kush e neutralizoi dronin? A nuk u dokumentua operacioni, që të mund ta shihnim edhe ne?
Rama foli për një “dorë të huaj, konsistente”.
Cili është ky shtet i huaj që Rama nuk e përmend dot, por që, sipas tij, ka shkuar deri në këtë pikë? Nëse pretendimi është i vërtetë, çfarë interesash ka ky shtet për të ndërmarrë një veprim të tillë?
Rama përmendi edhe shtetin e ajatollahëve, Iranin, i cili, sipas tij, po përhap lajme se Shqipëria po pushtohet nga Izraeli.
Po Irani çfarë interesash ka në këtë histori? A nuk i mjaftojnë telashet që ka me gjysmën e botës?
Klodian Braho, hetoni pretendimin për dronin me eksploziv. Një akuzë e tillë nuk mund të mbetet një deklaratë e hedhur në publik gjatë kafesë së mëngjesit të kryeministrit. Duhet të ketë prova, gjurmë teknike, autorë dhe një hetim që të sqarojë çfarë ka ndodhur realisht.
Nëse droni ekziston dhe kërcënimi ishte real, publiku ka të drejtë të dijë kush qëndron pas tij. Nëse pretendimi nuk provohet, atëherë Rama duhet të mbajë përgjegjësi për alarmimin e publikut me një ngjarje kaq të rëndë.
Pra, ose kemi të bëjmë me një kërcënim real që duhet hetuar deri në fund, ose me një pretendim të kryeministrit që duhet demaskuar me prova. E vërteta nuk mund të zëvendësohet me propagandë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



